DOMOSDOSHËM mb.

1. Që duhet patjetër, që është shumë i nevojshëm, që nuk mund të bëhet dot pa të; që duhet bërë a që duhet plotësuar patjetër, që nuk mund të lihet mënjanë; i detyrueshëm; i pashmangshëm. Ushqim i domosdoshëm. Nevojë (kërkesë) e domosdoshme. Shpjegim i domosdoshëm. Kusht i domosdoshëm. Në mënyrë të domosdoshme. Është i domosdoshëm.

2. filoz. Që është i lidhur me shkaqe thelbësore e objektive dhe që buron nga vetë natyra e brendshme e sendit a e dukurisë, që ka karakter ligjësor, që nuk është i rastit; që në kushte të caktuara ndodh në mënyrë të pashmangshme, që bëhet kështu dhe kurrsesi ndryshe. Lidhje e domosdoshme. Dukuri e domosdoshme.

3. si em. ~ME, ~MJA (e) f. ~ME, ~MET (të). Diçka që duhet patjetër, diçka që është shumë e nevojshme. Përmendi (theksoi) vetëm të domosdoshmet. Dallon gjënë e rastit nga e domosdoshmja.