DORËZOJ kal.

1. Ia jap dikujt në dorë diçka, ia vë përpara për ta marrë, për ta përdorur etj., ia lë në dorë; kthej atje ku duhet një gjë që s'është imja, jap. Dorëzoi letrat (ftesën, gazetën, dokumentet). Gjeti një kuletë me të holla dhe e dorëzoi në polici. Dorëzoi librin në bibliotekë.

2. I lë dikujt një fëmijë, një plak, një të sëmurë a të plagosur etj. për t'u kujdesur; ia lë në dorë a ia besoj dikujt një punë që ta vazhdojë e të përgjigjet për të; i lë dikujt një të burgosur, një rob etj. për ta ruajtur etj. Ia dorëzoi fëmijët të vëllait. I dorëzuan të plagosurit në spital. Ia dorëzoi robërit rojës. Ia dorëzoi klasën një mësueseje me përvojë. Ia dorëzoi detyrën drejtorit të ri. Ia dorëzuan punën ndërresës së dytë.

3. Jap diçka sipas kërkesës së ligjeve a të rregullave, sipas një marrëveshjeje etj. Dorëzuan drithin (pambukun, panxharin). Dorëzoi tepricat. E dorëzojnë në depot e shtetit.

4. E lë diçka a dikë nën zotërimin a në mëshirën e një tjetri; ia jap dikujt një gjë që s'e mbaj dot (zakonisht kundërshtarit); ia lëshoj armikut ose bëj që ta shtjerë në dorë armiku. Dorëzuan pasurinë (tokat, pronat, fabrikat). Dorëzuan qytetin (kështjellën, vendin). Nuk i dorëzoi shokët. Nuk ia dorëzoi armikut.

5. Përfundoj një punë dhe ia jap dikujt tjetër për ta vijuar, për ta gjykuar, për ta përpunuar etj.; arrij të kryej, bëj, përfundoj një detyrë. Dorëzoi dy norma. Dorëzuan një ndërtesë të re (një uzinë, një fabrikë...). Dorëzuan dy mijë tonë qymyr mbi planin. Dorëzoi një punim (një vepër) për botim. E dorëzuan në kohë (në afat, para kohe).

6. I jap dikujt një diplomë, një fletë lavdërimi, një medalje etj. U dorëzoi flamurin. U dorëzoi diplomat (fletëlavdërimet, medaljet, urdhrat).

7. fet. Shuguroj. E dorëzoi prift.

  • Dorëzoi (hodhi, la, lëshoi, dha, uli) armët shih tek ARM/Ë,~A. Dorëzoi çelësat shih te ÇELËS,~I. Ia dorëzoj (ia lë) stafetën dikujt ia lë dikujt ta çojë me tej punën e nisur.