EMISION m.

1. Program i veçantë lajmesh, bisedash, pjesësh muzikore etj. që jepet me anë të radios a të televizionit. Emision muzikor. Emision televiziv. Emision i posaçëm. Emisionet e radios. Emisioni i lajmeve. Emisionet e mbrëmjes (e mëngjesit). Emision me valë të shkurtra (të mesme). Emision për fëmijët (për punonjësit e bujqësisë, për rininë). Program i emisioneve.

2. fiz. Tërësi valësh, drite, sinjalesh etj. që nxirren jashtë a që çlirohen nga një trup dhe përhapen. Emision drite (energjie). Emision elektronesh.

3. kryes. fin. Tërësia e monedhave, e kartëmonedhave, e letrave me vlerë, e pullave të postës etj. që vihen njëherësh në qarkullim. Emision bankar. Emision aksionesh. Emision pullash. Bankë emisioni bankë që ka të drejtë të nxjerrë kartëmonedha. Vihet në qarkullim një emision i ri.