KOSH m.

  • 1. Thurimë e madhe prej thuprash, në trajtë të rrumbullakët a vezake si shportë, me fund zakonisht të sheshtë dhe me grykë të hapur e më të gjerë, që përdoret për të mbajtur pemë, perime, pleh etj.; kofin; sasia e gjërave sa nxë kjo thurimë. Kosh i madh. Koshi i misrit (i grurit). Një kosh me fiq (me rrush, me domate). I hodhi dhjetë kosha pleh.
  • 2. Thurimë prej purtekash, zakonisht në trajtë hinke, që përdoret për të zënë peshk. Zë peshk me kosh.
  • 3. Pjesë e mullirit të blojës, që është si arkë druri në trajtë hinke, ku hedhin drithin për ta bluar. Vrima e koshit. Hedh (zbraz) drithin në kosh.
  • 4. Ndenjëse në anën e djathtë të motoçikletës, ku mund të rrijë një njeri. Motoçikletë me kosh. Futem (ulem) në kosh.
  • 5. Thurimë a kuti druri për të mbajtur lugët ose kripën; farashë, kripës. Koshi i lugëve.
  • 6. Thurimë që mbahet në zyra për të hedhur letra të papërdorshme etj.; enë e metaltë, që varet në shtylla për të hedhur në të mbeturinat. Koshi i plehrave. Hedh në kosh.
  • 7. sport. Secili nga të dy rrathët e metaltë e me rrjetë në fushën e basketbollit, ku hidhet topi nga lojtarët e skuadrave që ndeshen për të fituar pikë; pika që fitohet, duke futur topin në këtë rrjetë. Koshi i parë (i dytë...). Shënoj (bëj) kosh.
  • Si koshi (si kofini) pas të vjelave (pas së vjeli) shih te KOFIN,~I. Si rrushi e koshi shih te RRUSH,~I. I futi lugët në kosh shih te LUG/Ë,~A. E hodhi në koshin (në shportën) e plehrave
  • a) e nxori jashtë përdorimit, nuk e përdori më; e bëri të pavlefshëm;
  • b) nuk e mori në shqyrtim, nuk e mori fare parasysh, e quajti pa asnjë vlerë, e flaku tutje, e hodhi poshtë.