KULLOT kal.

  • 1. I çoj bagëtinë ose shpendët në kullotë dhe i ruaj e kujdesem për to që të hanë mirë, të mos bëjnë dëme etj. Kullot dhitë (dhentë, misërokët).
  • 2. edhe jokal. vet. veta III. Ha bar a bimë të tjera në një vend që shërben si kullotë; gjen ushqimin vetë, ushqehet duke e kërkuar ushqimin andej-këtej (për bagëtinë, shpendët dhe bletët). Kullot bar (gjethe). Kullot bagëtia. Kullot bleta. Në fushë pa zot gjithë bota kullot. fj. u. Delja ku kullot, atje lë leshin. fj.u.
  • 3. fig. bised. iron. I jap dikujt të hajë e ushqej. E ka kullotur i ati tërë jetën.
  • 4. jokal. fig. bised. mospërf. Bredh, sillem andej-këtej. Ku ka kullotur sot tërë ditën?
  • I kullot mendja (gjetkë) i vete mendja gjetkë ose larg, nuk e ka mendjen këtu, mendon për shumë gjëra të tjera. Ku të kullot mendja?! ku e ke mendjen, ku të fluturon mendja, pse s'e ke mendjen këtu?! Kullot retë shih te RE,~JA I. Kullot sytë rri në një vend dhe kalon kohën ose kënaqet duke parë pamje të ndryshme a njerëz që i kalojnë para syve, shikon rreth e rrotull për kënaqësinë e vet. I kullot hunda lart iron. shih te HUND/Ë,~A. S'e lë hunda të kullotë (të hajë) bar tall. shih te HUND/Ë,~A. Ti zot, unë zot, po gomarin kush e kullot? shih te GOMAR,~I.