NUMËROJ kal.

  • 1. Përcaktoj sasinë a shumën e diçkaje, duke e shprehur me shifra; gjej sasinë si numër; njeh. Numëroj nxënësit në klasë. Numëroi librat (të hollat). Numëroi arkat (shishet). Numëroj votuesit (pjesëmarrësit).
  • 2. Përmbaj në një tërësi, përfshij; ka në përbërjen e vet, përmbledh. Kombinati numëron disa fabrika. Fshati numëron njëzet shtëpi. Më numëro edhe mua me ta!
  • 3. fig. E quaj, e mbaj për dikë a për diçka, e vlerësoj si të tillë. E numërojnë si punëtor (si mjek) të mirë. S'e numëronte më për djalë. Nuk e numëron fare nuk e përfill, nuk e quan për gjë fare, nuk e zë në hesap.
  • 4. Ia them dikujt një për një të metat, gabimet e fajet. Ia numëroi gabimet një për një. Ia numëroi të gjitha. Ia numëroi ndër sy.
  • 5. Zbraz armën disa herë kundër dikujt. Ia numëroi në lule të ballit. Ia numëroi të shtata.
  • 6. jokal. Emëroj numrat varg njërin pas tjetrit. Numëroi deri në një mijë. Ka mësuar të numërojë deri në pesëdhjetë (për fëmijën). Numëron me gishta.
  • Ia numëroi brinjët dikujt e rrahu keqas. Numëroj ditët (orët, muajt...) pres me padurim dikë a diçka. Numëron gishtat shih te GISHT, ~I. I numëronte kafshatat dikujt shih te KAFSHAT/Ë, ~A. Të numëron kafshatat shih te KAFSHAT/Ë, ~A. Numëron (vret, zë) miza (gjithë ditën) mospërf. shih te MIZ/Ë,~A. Numëron rrënjët bën punë të kotë. Numëron (heq) tespihet shih te HEQ. Numëron (qëndron, mbetet, ngelet, rri) në vend shih te VEND,~I. Numëroj yjet rri pa gjumë, s'më zë gjumi gjithë natën. Në vend-numëro! usht. komandë për të hedhur hapat në vend, pa ecur përpara. Mbeti (bën, rri) në vend-numëro nuk bën asnjë përparim, nuk zhvillohet, ka ngecur. Numëron qimet (fijet) e postiqes shih te POSTIQ/E,~JA. Thanat nuk numërohen fj.u. shih te THAN/Ë,~A.