QARKULLIM m.

1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve QARKULLOJ, QARKULLOHEM. Qarkullim i shpejtë (i ngadalë). Qarkullimi i ajrit (i gazeve). Qarkullimi i rrymës. Qarkullimi i një planeti. Qarkullimi në atmosferë.

2. Lëvizja e mjeteve dhe e mallrave ose e njerëzve që shkojnë e vijnë nëpër një rrugë. Qarkullim i madh (i dendur, i rrallë). Qarkullimi rrugor. Qarkullimi i këmbësorëve (i trenave, i mjeteve). Qarkullimi i ngarkesave. Qarkullimi në qytet. Rregullat e qarkullimit. Ndalohet qarkullimi. Ndërpret (ndalon) qarkullimin.

3. Varg shndërrimesh ose procesesh, që kryhen duke e përshkuar një rrugë a një rreth sipas një rregullsie të përsëritur. Qarkullimi i gjakut. fiziol. lëvizja e vazhdueshme e gjakut nga zemra nëpër arterie deri te enët më të vogla të gjakut dhe pastaj nëpër vena përsëri në zemër e në mushkëri. Qarkullimi i ujit në natyrë avullimi i ujit nga toka dhe rënia e tij përsëri në trajtë reshjesh. Qarkullimi bujqësor ndryshimi i llojeve të bimëve që mbillen në një tokë sipas një rregulli agroteknik për të shtuar prodhimtarinë. Sistemi njëvjeçar (dyvjeçar) i qarkullimit të kulturave bujqësore.

4. ek., fin. Shitja e blerja e prodhimeve dhe e mallrave, shitje; përdorimi i të hollave në veprimet tregtare financiare; sasia e mallrave të shitura brenda një kohe, e shprehur në të holla. Qarkullimi i mallrave. Qarkullimi i parave. Qarkullimi i kapitalit. Vëllimi i qarkullimit. Mallra me qarkullim të ngadaltë. Vë (hedh) në qarkullim

a) e nxjerr në shitje (një mall, një prodhim);

b) nxjerr të përdoret në veprime (një monedhë). Doli në qarkullim doli në shitje. E hoqën nga qarkullimi.

5. Përdorimi i diçkaje nga shumë njerëz dhe për një kohë të vazhdueshme. Vë në qarkullim një fjalë të re. Është në qarkullim në rrethet shkencore. Ka dalë nga qarkullimi nuk përdoret më.