SHËLLIRË f.

  • 1. Ujë me shumë kripë, në të cilin mbahen djathi, ullinjtë, turshitë etj. për t'i regjur e për t'i ruajtur; ujë me shumë kripë ku janë mbajtur për një farë kohe djathë, ullinj, turshi etj. dhe që ka marrë shijen e erën e tyre. Shëllirë e fortë (e butë). Shëllira e djathit (e ullinjve, e turshive, e lakrave). Bëj shëllirë. Vë (fut) në shëllirë.
  • 2. Bulmet i lëngshëm shumë i kripur (gjizë e shtuar me ujë, kos i holluar, dhallë etj.). Hanin bukë e shëllirë. Ngjeu kafshatën në shëllirë.
  • 3. Ujë deti i ngopur me kripë, nga i cili nxirret kripa në kripore; ujë me sasi të ndryshme kripe, që përdoret në industri. Reparti i shëllirës.
  • 4. Tokë shumë e kripur, zakonisht gjatë bregut të detit, që zë përsipër një cipë të hollë kripe dhe nuk ka bimësi. I shkripëzuam edhe shëllirat.
  • 5. përd. mb. Shumë i kripur. Ishte shëllirë gjella.
  • Dhia e shëllirës dhia e vetme e të varfrit, nga e cila merrte pak qumësht. E luan gishtin e shëllirës (e lëngut) dikush shih te LUAJ.