SHIKOJ kal.

  • 1. Hedh sytë mbi dikë a mbi diçka për ta parë, drejtoj vështrimin mbi të; përpiqem të dalloj diçka me anën e të parit; ndjek me vëmendje, vështroj për një kohë të gjatë, sodit. Shikoj orën (termometrin). Shikoj qiellin (hënën, retë, yjet). E shikoi nga koka (deri) te këmbët. Ç'më shikon ashtu? Shikoj me dylbi (me mikroskop, me teleskop). E shikoi me gëzim (me trishtim, me vëmendje, me kujdes). Shiko sa vajti ora! Shiko a duket treni! Shikojmë dallgët e detit (bukuritë e natyrës).
  • 2. jokal. Hedh vështrimin në një drejtim të caktuar, i kam sytë të kthyer drejt diçkaje, vështroj. Shikoj nga dritarja. Shikonte me bisht të syrit. Shikoi shkarazi (fshehurazi). Shikonte përreth. Shiko këtu (drejt)! Mos shiko prapa. Pse shikon andej? Shikoj përjashta.
  • 3. Këqyr a vërej me kujdes, shqyrtoj; lexoj a kontrolloj diçka për të gjetur atë që më intereson; i hedh një sy duke e lexuar; vëzhgoj, këqyr; kontrolloj mirë për të gjetur diçka a për të marrë vesh çfarë ka; provoj. Shikoj regjistrin (fletoren). Shikoj gazetat (revistat). Shikoj letrat një nga një. Shikoj në dollap (në sirtar). Shiko prapa derës (nën tryezë)! Shiko nëpër xhepa! E shikoj hollë diçka. Shikojmë me shqetësim se ... Shiko mirë ku vë këmbën. Shikoj gjellën për kripë. Shikoj pulën për vezë. Ta shikojmë veten si në pasqyrë. Mos shiko se ç'thotë, po shiko se ç'bën në botë! fj. u. Mos i shiko gunën, po shikoji punën! fj.u.
  • 4. edhe jokal. shih SHOH 1-3, 5-11, 13-15, 17. E shikoj rrallë. Po shikonin lajmet. Shikon shumë ëndrra. Do të shikojmë ekspozitën. Nuk shikoj ndonjë rrezik (ndonjë të keqe). E shikonin si armik. Do ta shikojmë në mbledhje këtë çështje. E shikoj me sy kritik. Dritaret shikojnë nga rruga. Nuk e shikon dielli. Dua t'ju shikoj të lumtur. Shikoje punën drejt. Shkuan të shikonin nusen. E shikon me sy të mirë (të keq, të shtrembër). Të shikojmë përpara. E shikonte shtrembër (vëngër). Shikon t'i bëjë bisht punës.
  • 5. Dëgjoj, i vë veshin, marr parasysh; kam kujdes. Shiko këtu! Punojnë pa shikuar orar. Shiko se ç'thotë! Shiko mos rrëzohesh (mos biesh, mos shkasësh)! Shiko mos harrosh! Shiko mos u vono! Shiko se mos e pësosh! Shiko të na nxjerrësh faqebardhë! Shiko mirë, se do të pendohesh! Shiko na bëj një zjarr të mirë. Bëj atë që duhet, mos shiko se ç'thuhet! fj. u.
  • 6. Kujdesem për dikë a për diçka, e ndihmoj, e shoh, e vështroj; ruaj. Shiko shtëpinë! Shiko kuajt! Shiko misrin, të mos e hanë pulat! Shiko gjellën mos digjet! Shiko fëmijët mos rrëzohen! I shikonte shumë pleqtë. E shikon si sytë e ballit. Ia kam shikuar gojën e kam ushqyer mirë. E shikon shumë gojën kujdeset shumë për të ngrënë. E shikon me tërë të mirat. Mos shiko vetëm rehatin (interesin) tënd! Shiko punën (rrugën) tënde! kujdesu për detyrat e tua dhe mos u merr me gjëra që nuk të përkasin!
  • 7. vet. urdh. bised. Përdoret në kuptim pasthirrmor për të shprehur habinë e folësit për diçka, për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesit ose për të thumbuar a për të tallur dikë. Shiko ç'trima që janë! Shiko ç'sy (ç'flokë)! Shiko si mburret (si lëvdohet)! Shiko kush qenka! Shiko, shiko, sa i zgjuar!
  • 8. vet. urdh. bised. Përdoret në kuptim pasthirrmor për të shprehur paralajmërim a kërcënim për dikë. Shiko, hap sytë! Shiko, mos e fli mendjen! Shiko, herë tjetër mos e përsërit!
  • Shikon (vështron) nën ballë shih te BALL/Ë,~I. Shikon derën (portën) pret me padurim të vijë dikush. Ta shikosh me dylbi! iron. s'ke për t'ia arritur që ta kesh a ta gëzosh, s'ke për ta parë kurrë. Shikon (sheh) larg shih te LARG. Shiko dhe prapa shih te PRAPA. Shikon (vështron) nga qofkat shih te QOFK/Ë,~A. E shikoj në sy (diçka) shih te SY,~RI. E shikonte me (nën) vetulla shih te VETULL,~A. E shikoj (e vështroj) në bebe të syrit shih te BEB/E,~JA II. E shikoj për fill e për fërkem shih te FILL,~I. Shikon (gjen) qimen në vezë (në të bardhën e vezës) shih te VEZ/Ë,~A. E shikon me syrin e njerkës shih te NJERK/Ë, ~A. E shikoj me syrin plot dikë a diçka shih te PLOT. E shikon (e sheh) me syze të errëta shih te SYZE,~T. E shikon të vërtetën në sy shih te VËRTET/Ë,~A (e). Hap gojën e shikon qiellin shih te HAP. Shikon (sheh) qimen në syrin e tjetrit e nuk shikon (nuk sheh) trarin në syrin e vet shih te QIM/E, ~JA. Mos shiko (mos vështro) gjithnjë përpjetë, po shiko (vështro) dhe tatëpjetë! fj. u. shih tek TATËPJETË. Mos i shiko shkallët, por shikoji oborrin! (dikujt) fj. u. shih te SHKALL/Ë,~A. Mos i shiko shpatullat, por shikoji zemrën! fj. u. shih te SHPATULL,~A.