SHKREH kal.

  • 1. Liroj diçka që është e ngrehur a e penguar; tërheq këmbëzën e armës për të bërë qitje, zbraz armën, shtie. Shkreh armën (pushkën, çiften, revolen, dyfekun). E shkreh në erë. Ia shkrehu në ballë.
  • 2. Shpie në gjendjen e parë një mjet a një vegël të ngrehur a të bërë gati për një punë; zbërthej, zgjidh, heq; kund. ngreh. Shkreh çarkun (kurthin, grackën, harkun). Shkreh parmendën. Shkreh kazanin e rakisë. Shkreh tendën (çadrën). Shkreh qetë nga parmenda. Shkreh shtëpinë (kur lyej, kur bëj ndonjë rregullim të përgjithshëm ose kur iki për fare e shkoj në ndonjë vend tjetër).
  • 3. fig. Prish, i jap fund, e lë. Shkreh punën. E shkrehëm muhabetin. E shkrehën dasmën. A e shkrehim?
  • 4. Shpërthej, filloj menjëherë dhe me forcë (të qesh a të qaj), ia shkrep. Ia shkrehën gazit (të qeshurit, të qarit). Ia shkrehu ulërimës.
  • 5. fig. Lodh, këput, rraskapit; dobësoj; tret; e gajas. E shkrehu sëmundja. Na shkrehu së qeshuri. Ç'na shkrehe! iron.
  • 6. fig. bised. Ndjek një njeri a një kafshë këmba-këmbës që ta zë; përzë. E shkrehu qeni. I shkrehën italianët nga fshati.
  • 7. jokal. bised. Ua mbath këmbëve. Ballistët ia shkrehën për në qytet.
  • Ngreh e shkreh shih te NGREH. S'e ka shkrehur ndonjëherë (pushkën) nuk ka rënë asnjëherë në përpjekje, nuk e njeh luftën, s'e ka zbrazur ndonjëherë.