SHKRIJ kal.

  • 1. Bëj që një trup të kalojë nga gjendja e ngurtë në gjendje të lëngët duke e ngrohur ose duke e nxehur, tret; jokal. vet. veta III kalon nga gjendja e ngurtë në gjendje të lëngët nën veprimin e ngrohtësisë; kund. ngrin. E shkriu dielli akullin. Shkrij dyllin (gjalpin, dhjamin, metalet). Shkriu dëbora maleve. Shkriu akulli. Hekuri shkrin në 1510 gradë Celsius.
  • 2. jokal. fig. Kulloj krejt nga të nxehtët, djersij shumë nga vapa. Shkrimë këtu, qenka vapë e madhe.
  • 3. edhe fig. Bashkoj dy a më shumë gjëra në një gjë të vetme. Shkrij dy ndërmarrje (dy sektorë, dy institute, dy drejtori) në një. Shkrij dy kapituj në një. Shkrij në një mësimin dhe edukimin.
  • 4. fig. I jap fund qenies e veprimtarisë së një organizate, të një institucioni a të një organizmi tjetër. Shkrij një komision (një grup pune). Shkrij një organizatë (një ndërmarrje, një institut).
  • 5. fig. E harxhoj të gjithë deri në fund, derdh; tret, shkapërderdh; e jap të gjithë pa asnjë kursim. I shkriu të gjitha të hollat (kursimet). Shkriu tërë gjënë e mallin (pasurinë). Shkriu jetën për atdheun punoi me mish e me shpirt gjatë gjithë jetës për atdheun. Shkrinë të gjitha forcat (dituritë). Shkrinë gjithë mjeshtërinë e tyre.
  • 6. Shkrif, shkrydh, shpij (për trupin e pjesët e tij). Shkrij trupin pranë zjarrit. Ky diell të shkrin kockat.
  • 7. jokal. fig. bised. Më del frika, çlirohem nga një ankth a nga një shqetësim i madh, më vete zemra në vend; qetësohem. Kur ia tha, shkriu. I shkriu zemra (gjaku).
  • 8. fig. bised. E bëj dikë të qeshë me të madhe. Na shkriu në gaz. Na shkrive fare! (edhe iron.).
  • 9. fig. bised. E bëj diçka shumë të mirë a të përsosur, duke përdorur gjithë mjeshtërinë e aftësitë që kam, e bëj për merak, e qaj (zakonisht për gatesa). E paska shkrirë këtë lakror (bakllava). E ka shkrirë fare.
  • Shkriu akulli shih tek AKULL,~I. Shkriu (humbi, u zhduk) si vesa e mëngjesit (si vesa në diell) shih te VES/Ë,~A.