SHPIK I kal.

  • 1. E pi deri në pikën e fundit, shkulloj; nuk i lë asnjë pikë, shkrënd (kur e mjel). E shpiku gotën (faqoren). E shpikën pusin. E shpiku lopën.
  • 2. fig. Përdor a shfrytëzoj diçka tërësisht e deri në fund, shteroj. I shpikën të gjitha burimet.
  • 3. bised. Ia fitoj tjetrit të gjitha paratë, arrat etj. në lojë; ia thaj (xhepin, kuletën). I shpiku shokët. Ia shpikën xhepat.
  • 4. Nxjerr ujë (nga pusi). Shpik ujë në pus.

SHPIK II kal.

  • 1. Krijoj a zbuloj diçka të re që nuk njihej më parë, bëj një shpikje, ndërtoj për së pari diçka që nuk dihej. Punëtorët kanë shpikur metoda të reja pune. Ka shpikur mikroskopin (telefonin).
  • 2. Gjej, mendoj një mjet ose një mënyrë për të bërë diçka, sajoj. Shpiku një marifet.
  • 3. bised. Mendoj gjëra të paqena a të rreme, trilloj, shpif. E shpiku nga koka. S'kam shpikur asgjë!
  • 4. bised. Shkaktoj, bëj, krijoj, shpif. Shpikin ngatërresa e turbullira. I shpiku të keqen ai fëmijë.