SHTRËNGUAR mb.

  • 1. Që është rrokur fort nga të gjitha anët; që është ngjeshur me forcë pas një tjetri a pas diçkaje, që është shtrënguar. Me dhëmbë të shtrënguar. Me nofulla (me buzë) të shtrënguara. Me grushte të shtrënguara.
  • 2. I ngjeshur, i bashkuar fort si një trup i vetëm. Me radhë të shtrënguara.
  • 3. fig. I ngjeshur, që kërkon përpjekje të mëdha për t'u kryer brenda një kohe të caktuar (për një program a plan pune). Plan i shtrënguar. Detyra të shtrënguara.
  • 4. fig. Shumë i kursyer, dorërrudhur; që bëhet me kursim të madh; që e vlerëson dikë a diçka në mënyrë tepër të rreptë a më pak sesa meriton në të vërtetë, i rreptë. Njeri i shtrënguar. Jetesë e shtrënguar. Ishte ca i shtrënguar ai mësues. I ka notat të shtrënguara.
  • 5. fig. Që ka një ndryshim a epërsi shumë të vogël në krahasim me një tjetër (zakonisht për rezultatet e ndeshjeve sportive në gola ose në pikë). Rezultat i shtrënguar.

SHTRËNGUAR ndajf.

  • 1. Duke e rrokur fort nga të gjitha anët ose duke e ngjeshur fort pas dikujt a pas diçkaje, duke e shtrënguar. Me grushtet (me dhëmbët) shtrënguar. E mbaj shtrënguar diçka.
  • 2. Lidhur fort; duke e ngjeshur fort rreth e rrotull diçkaje; pisk. E mban brezin (rripin) shtrënguar. E ka lidhur shtrënguar.
  • 3. Ngjeshur njëri pas tjetrit, ngushtë. Rrinin shtrënguar njëri pas tjetrit. Ishim mjaft shtrënguar atje.
  • 4. Me shumë kursim; në gjendje të vështirë, ngushtë; pikërisht aq sa duhet, pa asgjë të tepërt. Rronin shtrënguar. Ishin shtrënguar për bukë. Nuk e ka ndier veten shtrënguar ndonjëherë. Çdo gjë ishte llogaritur shtrënguar.