SHTREMBËR f.

  • Diçka jo e drejtë dhe jo e ndershme, diçka që s'duhet bërë a s'duhet ndjekur; kund. e drejta. Dalloj të drejtën nga e shtrembra. E drejta fiton mbi të shtrembrën. fj. u. E shtrembra dhe gënjeshtra nuk fshihen. fj. u. E shtrembra i ka këmbët të shkurtra. fj. u.
  • Ia ka me të shtrembër dikujt ia ka me hile, përpiqet t'ia hedhë.

SHTREMBËR mb.

  • 1. Që është me lakime, me kthesa, me bërryla, me nyja etj., që nuk shkon në një vijë të drejtë, që nuk është i drejtë; kund. i drejtë. Dru (shkop, tra) i shtrembër. Gishta të shtrembër. Rrugë (udhë, vijë) e shtrembër. Gardh i shtrembër. E ka bërë të shtrembër.
  • 2. Që është i anuar a i pjerrët nga njëra anë; që nuk qëndron drejt e pingul; kund. i drejtë. Shtyllë e shtrembër. Kasolle e shtrembër. Mur i shtrembër. Derë e shtrembër. Oxhak i shtrembër. Me qafë të shtrembër.
  • 3. Që nuk ka formën e zakonshme të rregullt, që është ndryshe nga forma a nga drejtimi i zakonshëm. Me hundë (me gojë, me fytyrë) të shtrembër. Figurë e shtrembër.
  • 4. fig. I gabuar, jo i drejtë; që nuk i përgjigjet së vërtetës; kund. i drejtë. Pikëpamje (mendime) të shtrembra. Kuptim (zbatim) i shtrembër. Mbi baza të shtrembra. E paraqiti në dritë të shtrembër diçka.
  • 5. fig. Që punon me hile, jo i ndershëm, jo i sinqertë, jo i pastër; kund. i drejtë. Njeri i shtrembër.
  • Ka hyrë në rrugë të shtrembër ka marrë rrugë të keqe; ka hyrë në rrugë të gabuar. E ka (e sheh, e shikon, e vështron) me sy të shtrembër (të keq, të lig) nuk e vlerëson drejt, nuk e pëlqen; përpiqet ta pengojë; nuk i do të mirën. Një dru e shtrembër rrëzon (prish) gjithë stavën fj.u. shih te STAV/Ë,~A. Tymi të shkojë drejt, pa le të jetë oxhaku i shtrembër fj. u. shih tek TYM,~I.

SHTREMBËR ndajf.

  • 1. Jo në vijë të drejtë, me dredha a me lakime, jo drejt; kund. drejt. E ka bërë shtrembër vijën. E ka sjellë murin shtrembër.
  • 2. Pak pjerrtas, jo pingul, jo drejt, prirur pak në njërën anë; me trup të shtrembëruar; kund. drejt. E nguli shtrembër shtyllën. E vari shtrembër fotografinë. Rri (ecën) shtrembër.
  • 3. Jo në drejtimin e duhur, jo në vendin a në drejtimin e vet; në njërën anë, anash, pjerrtas; kund. drejt. Vajti gozhda shtrembër. Shkoi sharra shtrembër. Më shkoj dora (thika, gërshëra) shtrembër. Më shkon (më vete) buka (uji) shtrembër më shkon një thërrime buke (a një pikë ujë) në kanalin e frymëmarrjes dhe më bën të kollitem fort a të mbytem. E ka vënë kapelën shtrembër. I vuri shtrembër drutë. Shikon pak shtrembër. I vajti goja shtrembër.
  • 4. fig. Në mënyrë jo të drejtë, jo drejt, në mënyrë të gabuar; në mënyrë jo të ndryshme; keq, jo mirë; kund. drejt. Flet (mendon) shtrembër. I kupton (i merr) shtrembër gjërat. Vepron shtrembër.
  • E shikon (e sheh) shtrembër (vëngër) mban qëndrim jomiqësor ndaj dikujt a diçkaje, nuk i dëshiron të mirën, nuk e pëlqen. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt! fj. u. sido që të jetë, duhet të themi të vërtetën, të themi atë që është, edhe pse s'na pëlqen.