SHUK m.

  • 1. Topth që bëhet duke mbledhur e duke ngjeshur një leckë, një rrobë, një letër, një grusht dëborë ose diçka tjetër të butë. Shuk i madh (i vogël). Shuk letrash (leckash, parash). Shuk pambuku. Shuk dëbore. Shuk brumi (hallve, balte). Shuka gjeli toptha brumi për të ushqyer gjelat e detit që të majmen. Shuka me tul buke. I shëndoshë si shuk topolak, buçko (për fëmijët).
  • 2. si ndajf. Si topth, si lëmsh, kruspull. E mblodhi shaminë (fustanin, gazetën) shuk. E bëri kapelën shuk. U mblodh shuk nga të ftohtët (nga përdhesi).
  • 3. si ndajf. Vdekur në vend, top. E la shuk në vend.
  • Shuk e puk kruspull, gërmuq. Iu mblodh zemra shuk (lëmsh) shih te LËMSH,~I.

SHUK kal.

  • 1. Mbledh a bëj shuk diçka; e shtyp, e mbështjell pa rregull, duke e zhubrosur (për rrobat); e ngjesh mirë; rrah. I shukën rrobat. E shuku shaminë në xhep. E shuku mirë brumin. E shuku me dru e rrahu mirë.
  • 2. Përplas diçka me forcë përtokë a pas një sendi tjetër të fortë. E shuku topin. Ua shuku kokat. E shuku pas derës (pas murit).
  • 3. Troshit. Na shuku qerrja. Na shuku zorrët. SHUKAT kal. shih SHUK 1.