SKELË f.

  • 1. Vend në breg të detit, të liqenit a të lumit, i mbrojtur nga dallgët e stuhitë i ndërtuar e i pajisur për t'u afruar anijet që të ngarkohen e të shkarkohen; urë e futur në det, në liqen a në lumë, ku afrohen anijet për t'u ngarkuar e shkarkuar; mol. Skelë detare (lumore). Skela e Vlorës. Hyri (zbriti) në skelë. U afrua te skela. Shkarkoi në skelë.
  • 2. Qytet në breg të detit a të lumit, që ka vend të posaçëm ku mund të afrohen anijet për t'u ngarkuar e për t'u shkarkuar; lagje e një qyteti afër bregut ku ngarkohen e shkarkohen anijet; port. Skelë kryesore. Skelë tregtare. Skelat e Adriatikut. Lagjja e skelës.
  • 3. ndërt. Armaturë e përkohshme prej trarësh e dërrasash ose prej gypash metalikë të lidhur, që ngrihet rreth një ndërtese a një ndërtimi tjetër dhe që shërben për të mbajtur punëtorët e materialet, kur ngrihen ose suvatohen e lyhen muret e larta. Skelë druri (hekuri). Dërrasat e skelës. Bënë një skelë. Ngritën skelën. Hoqën skelën. U ngjit në skelë. Punon në skelë.
  • 4. Pjesë e ngritur, e ndërtuar me trarë e dërrasa, që shërben si mbështetëse për diçka a për të sharruar trupat.
  • 5. Lejlek për të nxjerrë ujë nga pusi me një shtagë përmes.
  • 6. Vegël e samarpunuesve për të ndrequr shpatullat e samarit sipas kurrizit të kafshës.