sustë
SUSTË f.
- 1. Tel çeliku i përdredhur rrathë-rrathë ose paftë e epshme, që ka veti të shtypet kur i rëndon një forcë dhe të hapet e të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme pa u prishur. Sustë çeliku. Susta e gjilpërës. Sustat e rrotave. Sustat e divanit (e kolltukut). Teli sustë paraprurës. Pafta sustë. Derë me sustë. Kapak me sustë. I vuri sustë. U prish (u këput) susta.
- 2. Rrjetë prej teli të epshëm e të përdredhur, mbi të cilën vihet dysheku në shtrat. Sustë teke (dyshe). Krevat me sustë.
- 3. Sumbull metali, plastike etj. në një aparat a mekanizëm, që shtypet me gisht për ta vënë këtë në lëvizje ose për ta ndaluar. Susta e aparatit fotografik (e televizorit). Shkeli (shtypi) sustën.
- 4. Lloj kapëseje për të mbërthyer rrobat, e përbërë nga dy pjesë si kopsa të vogla, prej të cilave njëra ka një thumb që futet me forcë në tjetrën kur shtypet. Sustat e bluzës. Përparëse me susta. I qepi sustat.
- 5. fig. keq. Diçka që shërben si forcë lëvizëse. Paraja si sustë e shoqërisë borgjeze. Susta e fshehtë e një pune.
- Me sustë vetvetiu, pa bërë asnjë punë a pa mundim fare.