ushtrim
USHTRIM m.
- 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve USHTROJ, USHTROHEM. Ushtrimi i trupit (i krahëve, i këmbëve). Ushtrimi i sportit. Ushtrimi i gjuetisë (i peshkimit). Ushtrimi i profesionit. Ushtrimi i tregtisë. Ushtrimi i forcës. Ushtrimi i pushtetit. Ushtrimi i kontrollit. Ushtrimi i të drejtave (i ligjeve).
- 2. sport. Lëvizje të caktuara të trupit a të gjymtyrëve që përsëriten rregullisht për t'u shkathtësuar ose për të fituar shprehitë e nevojshme; lëvizjet a figurat që bën dikush në një vegël sportive etj. Ushtrime gjimnastikore (fizkulturore). Ushtrime të thjeshta. Ushtrimet e manifestimit. Ushtrime në unaza (në paralele). Ushtrime për nxehje. Ushtrim me pistoletë. Ushtrime me trup të lirë. Bëj ushtrimin e parë.
- 3. Detyrë që i jepet dikujt (zakonisht nxënësit a studentit) për të ngulitur më mirë njohuritë a rregullat e mësuara ose për të fituar shprehitë e nevojshme gjatë zbatimit të këtyre shprehive a rregullave. Ushtrim i thjeshtë. Ushtrim i lehtë (i vështirë). Ushtrime aritmetike (gjuhësore, drejtshkrimore). Ushtrime të foluri. Ushtrime me katër veprime. mat. Përmbledhje ushtrimesh. Zgjidh ushtrimin. Shkruaj ushtrimin.
- 4. fin. Tërësia e veprimeve që kryhen për të zbatuar buxhetin shtetëror gjatë një periudhe të caktuar. Ushtrimi financiar. Ushtrimi vjetor. Mbyllja e ushtrimit.