ZORRË f. kryes.

  • 1. anat. Pjesë e aparatit tretës të njeriut e të kafshëve, në trajtën e një gypi të mishtë, të gjatë e të ngushtë, që fillon nga stomaku, përdridhet disa herë në bark e mbaron në të ndenjurat. Zorra e hollë pjesa e këtij organi nga stomaku deri te zorra e trashë. Zorra e trashë pjesa e këtij organi nga zorra e hollë deri në të ndenjurat. Zorra e verbër (qorre) pjesë mbeturinore që ndodhet në krye të zorrës së trashë dhe ka trajtën e një krimbi. Zorra e majme. bised. zorra e trashë. Zorrë dashi (qengji). Ngatërrim zorrësh. Lëngu i zorrëve. Tifoja e zorrëve mjek. Sëmundjet e zorrëve. Gjellë me zorrë.
  • 2. vet. Pjesët e poshtme të aparatit tretës bashkë me pjesët e tjera të barkut; rropullitë, të përbrendshmet. Me zorrët jashtë.
  • 3. Gyp i gjatë e i ngushtë, zakonisht prej gome a prej lënde plastike, që përdoret kryesisht për të çuar e për të tërhequr me të ujë ose lëngje të tjera. Zorrë prej llastiku. Zorra e ujit. Ujit me zorrë. E zbrazi (e thithi) me zorrë.
  • 4. kryes. Farat e kungullit, të pjeprit etj. së bashku me cipën ku janë ngjitur. I hoqën zorrët kungullit. Nuk hahet pjepri me gjithë zorrë.
  • I dolën zorrët (përjashta) volli shumë; i erdhi shumë ndot. Ia derdhi zorrët dikujt thjeshtligj. shih te DERDH. Më gërvishti zorrët shih te GËRVISHT 2. E gërryen zorrët (e gërreu barku) për bukë shih te GËRRYEJ. Më grinë zorrët shih te GRIJ.
  • I hapi zorrët dikujt shih te HAP. Më hanë zorrët për dikë shih HA 7. Ia hëngri zorrët shih te HA 11. I këndojnë (i gërhasin, i kërcasin) zorrët e ka marrë uria, ka uri. E mbushi zorrën hëngri sa u ngop. Mëlçi (zorrë) derri shih te DERR,~I. Nxori zorrët (zorrët e barkut, bark e zorrë) volli gjithçka që kishte në stomak. E njomi zorrën shih te NJOM. Qen zorrësh (rrugësh, sokak, sallhaneje) shih te QEN,~I.
  • Më shkuli zorrët shih te SHKUL. M'u shkundën zorrët shih te SHKUNDEM. Iu tha zorra mbeti pa ngrënë, s'ka hedhur asgjë në bark. Ia ngritën (iu mblodhën, i erdhën) zorrët në grykë (në fyt, te goja) i erdhi neveri, i erdhi për të vjellë. Përpiqej (bënte) si zorra (si veza) në prush shih te PRUSH,~I. I tregoi zorrët e barkut i tha gjithçka, nuk mbajti asnjë të fshehtë. Zorra e kuqe anat. ezofagu, kapërcelli.