DËSHMI f.

1. Pohim me shkrim ose me gojë, që bën dikush për të vërtetuar diçka; drejt. pohimi i dëshmitarit para organeve të drejtësisë, fjalët që thotë dëshmitari në gjyq. Dëshmi e përpiktë. Dëshmi e rreme. Dëshmi me gojë (me shkrim).

2. Provë a fakt që vërteton diçka. Dëshmi e gjallë (e qartë). Dëshmi të panumërta. Dëshmi gjuhësore. Dëshmi e miqësisë. Sjell dëshmi. Përbën një dëshmi.

3. Dokument zyrtar që vërteton diçka; dëftesë, vërtetim. Dëshmi shkollore dëftesë. Dëshmi vobekësie. vjet. vërtetim që u lëshohej nga organet shtetërore përpara Çlirimit atyre që ishin të varfër. Mori dëshminë. I lëshuan dëshmi.