FLAMUR m.

1. Pëlhurë e hollë dhe e lehtë me forma e me ngjyra të ndryshme, që vihet në një shtizë dhe është simboli i një shteti, i një kombi, i një organizate, i një ushtrie etj.; figura e këtij simboli, e qëndisur ose e vizatuar diku. Flamuri shqiptar. Flamuri kombëtar. Flamur i kuq (kuqezi). Flamuri i Republikës së Shqipërisë. Flamuri i brigadës. Flamur prej letre. Shtiza e flamurit. Himni i flamurit. Dita e Flamurit 28 Nëntori - dita e shpalljes së pavarësisë; festa që bëhet për nder të kësaj dite. Ngre (ngul, ul, mbaj) flamurin. Shpaloset (valëvitet, valon) flamuri. Ngre flamurin në gjysmështizë vë flamurin në gjysmën e shtizës në rast zie kombëtare. Betohemi përpara flamurit.

2. Copë pëlhure me ngjyra të ndryshme, e varur në një shkop, që shërben për t'i dhënë shenja dikujt ose për t'i tërhequr vëmendjen për diçka. Flamur i bardhë. Jap shenja me flamur.

3. Copë prej pëlhure të kuqe, e zbukuruar dhe me shkrime të qëndisura, që u jepet ndërmarrjeve, organizatave, rretheve ose punonjësve të dalluar në punë a në veprimtarinë shoqërore, fituesve të një gare sportive, të një konkursi etj. Flamuri i punës. Flamuri i emulacionit socialist. Flamuri i kampionatit. Marr (fitoj) flamurin. U nderua me flamur.

4. fig. Idetë themelore që frymëzojnë njerëzit dhe u tregojnë rrugën që duhet të ndjekin në jetën e në veprimtarinë e tyre; ideal i lartë frymëzues. Flamuri i revolucionit. Flamuri i lirisë. Emri i tij u bë flamur.

5. Lojë fëmijësh, që luhet duke u ndarë në dy skuadra, njëra prej të cilave ruan flamurin e vendosur brenda një rrethi, ndërsa tjetra përpiqet ta marrë. Luajnë «flamurin».

6. hist. shih BAJRAK,~U 2. Malësia ndahej në flamurë.

7. krahin. Cipa e dhjamit që mbështjell plëndësin dhe zorrët; rizë.

8. bot. Petla e sipërme e me e madhe e kurorës së lules te fasulja e bizelja dhe te fluturoret e tjera.

  • Fitoi flamurin libr. shih te FITOJ. Humb flamurin libr. shih te HUMB. Mban flamurin shih te MBAJ. Ndërroi flamur tradhtoi, ndërroi bajrak. Ngriti (shpalosi) flamurin shih te NGRE. Ngriti flamurin e bardhë shih te BARDHË (i,e). Njeri me dyzet (me njëqind) flamurë njeri që nuk i përmbahet një ideje a një ideali, që bëhet herë me njërën e herë me tjetrën palë, që e kthen gunën nga të fryjë era. Tregtar flamurësh libr. njeri i shitur; njeri pakarakter, njeri i paparim. E uli flamurin shih tek UL. I ka ulur flamurët shih tek UL. Doli me flamur të hapur shih te HAPUR (i,e).