GËNJEJ kal.

1. I them dikujt diçka që s'është e vërtetë, i them dikujt gënjeshtra për të fshehur me vetëdije të vërtetën: ose për ta mashtruar. Gënjejnë njëri-tjetrin. Nuk të gënjej. E gënjeu pa dashje (pa qëllim). E gënjeu sy ndër sy.

2. jokal. Nuk them a nuk tregoj të vërtetën, them gënjeshtra, them gjëra të paqena për dikë a diçka. Gënjen shpesh (pa masë, pa pikë turpi). Pse gënjen? Nuk di të gënjejë. E ka zakon të gënjejë. Mos gënje!

3. Josh dikë me fjalë të bukura a me sjellje jo të çiltra për ta bërë për vete e për të përfituar diçka prej tij; mbaj, ushqej dikë me shpresa të kota e me premtime; ia bëj me hile, ia hedh dikujt; pres në besë dikë, shkel fjalën a premtimin që i kam dhënë dikujt; mashtroj. Gënjej armikun (kundërshtarin). E gënjen me shpresa (me fjalë). Gënjeu një vajzë. Gënjen veten mbahet me shpresa të kota.

4. Bëj që dikush ta marrë dikë a diçka jo ashtu siç është në të vërtetë, bëj që të gabohet e gaboj. Syri të gënjen. E gënjeu mendja. Na gënjeu pamja. E gënjyen veshët. Të gënjejnë shpresat.

5. I tregoj ose i jap diçka dikujt që beson lehtë (zakonisht një fëmije) për ta zbavitur, për ta pushuar kur qan etj.

6. sport. E mashtroj kundërshtarin me top për t'iu shmangur ose për t'i kaluar përpara.

  • E gënjeu gryka shih te GRYK/Ë,~A. Gënjen (rren) shtruar (përtokë) shih te SHTRUAR.