GËRRYEJ kal.

1. Ha pak e nga pak sipërfaqen e një sendi me diçka të fortë për t'i hequr një pjesë, një shtresë të tij a diçka që është ngjitur në të ose për ta pastruar. Gërryej drurin. Gërryen murin. Gërryej enën.

2. Ha pak e nga pak tokën, shkëmbin etj. dhe hap një vrimë a një gropë. Gërryen tokën (shkëmbin). Gërryej dhëmbin. Kodrën e kanë gërryer ujërat. Lumi (përroi) e ka gërryer shtratin. Urithi gërryen dheun.

3. vet. veta III. E bren, e ha. Acidi gërryen metalin (enën).

4. fig. E ha krejt diçka që ndodhet në një enë, nuk lë asnjë lugë a asnjë thërrime; i nxjerr fundin një ene ku ka ushqim. E gërryen tenxheren (tiganin, qypin, sahanin). E gërryen tepsinë.

5. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më mundon, më shqetëson vazhdimisht; më ha, më bren diçka nga brenda pak e nga pak. I gërreu zemrën (shpirtin). E gërryen dyshimi. E gërryejnë kontradiktat. E gërryen përbrenda.

  • Të gërryen era fryn erë shumë e fortë, të pret era. E gërreu nga leket ia mori të gjithë lekët, ia harxhoi të gjitha të hollat, e faroi nga paratë. E gërreu barku (e gërryen zorrët) për bukë kishte shumë uri. Gërryente para me lopatë fitonte shumë para pa u munduar shumë.