GARANCI f.

1. drejt. Siguri e cila i jepet dikujt për një të drejtë që i takon në bazë të ligjeve a urdhëresave shtetërore. Garanci juridike. Garanci ligjore.

2. Siguri që prodhuesi e shitësi i jep blerësit për cilësinë e një malli për një kohë të caktuar; përgjegjësia e prodhuesit dhe e shitësit që lind nga kjo siguri; koha e caktuar sa zgjat kjo siguri. Garanci gjashtëmujore (njëvjeçare). Afati i garancisë. Fleta e garancisë. Shitje (blerje) me garanci. Televizor (radio, orë) me garanci. Mbaron garancia. Me (pa) garanci.

3. Send me vlerë (mall, para etj.), që depozitohet ose që i jepet dikujt për të siguruar diçka. Garanci bankare. Garanci në mall (në para). Jep garanci. Derdh (tërheq) garancinë.

4. fig. Kusht a faktor që siguron suksesin e diçkaje, mbështetje e sigurt për diçka, siguri. Garanci e shëndoshë (e plotë). Garanci kryesore. Garanci politike. Është garanci për fitoren (për zhvillimin e mëtejshëm, për mbrojtjen e atdheut).

5. dipl. Sigurimi që japin dy a me shumë shtete për të zbatuar një marrëveshje ndërkombëtare; tërësia e detyrimeve që rrjedhin nga kjo. Garancia për zbatimin e traktatit. Nuk vlejnë garancitë diplomatike.