GARDË f.

1. Repart i posaçëm, i përbërë nga trupa të zgjedhura ushtarake, që mbahen për të mbrojtur a për të ruajtur udhëheqësit e drejtuesit e lartë të një vendi; repart i posaçëm që kryen shërbimin e nderit me rastin e pritjes e të përcjelljes së kryetarëve të shteteve të tjera. Garda kombëtare. Garda mbretërore (perandorake). Garda civile. Garda e republikës. Komandanti i gardës. Oficer (ushtar) i gardës. Banda e gardës. Uniforma e gardës. Flamuri i gardës. Shërben në gardë.

2. fig. Tërësia e aktivistëve të shquar në një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore; tërësia e luftëtarëve besnikë e të vendosur për një çështje të madhe; brez luftëtarësh të një moshe ose që kanë marrë pjesë në një revolucion a në një ngjarje tjetër me rëndësi të veçantë historike. Garda e vjetër. Garda e re.