gardh
GARDH m.
1. Thurimë e bërë me purteka, me thupra a me driza rreth e përqark një kopshti, një are, një oborri etj. Gardh mbrojtës. Gardh i lartë (i ulët). Gardh i thatë gardh me ferra a me degë të prera. Gardh çift gardh me dy thurima, të mbushura në mes tyre me dhe, në një faqe të pjerrët për ta mbrojtur këtë nga gërryerjet; gardh i dyfishtë. Gardh tek gardh që bëhet vetëm nga një thurimë drizash, ferrash, telash etj. Gardh me ferra (me driza, me tela). Hu gardhi. Oborr (arë, vresht) me gardh. Bëj gardh. Thur gardhin. Thur (rrethoj) me gardh. Kapërcej gardhin. Prish (shemb) gardhin. I zhdukëm gjerdhet.
2. Radhë e shtrënguar njerëzish zakonisht të lidhur dorë për dore; varg i ngjeshur sendesh, që pengojnë kalimin. Gardh ushtarësh. Gardh makinash. Iu mbështollën si gardh e rrethuan, e gardhuan, e vunë në mes, i rrinë rreth e rrotull. U bënë gardh shtrënguan radhët për t'u mbrojtur.
3. fig. Pengesë, ndalesë; mburojë. U bëmë gardh. T'i vëmë gardh ndikimit të ideologjisë borgjeze e revizioniste! I vuri gardh gojës nuk flet më, e qepi gojën.
- Prapa gardhit fshehurazi, prapa krahëve. Gardh i gjallë shih te GJALLË (i, e) 3. Gardh i shkulur njeri që e ka humbur vlerën e rëndësinë. Hu gardhi shih te HU,~RI 2. E kërceu (e hodhi, e kapërceu) gardhin e kaloi vështirësinë që kishte, e hodhi hendekun. Mori gardhin diçka u rrit shumë e shpejt, u rrit jashtë mase, i kapërceu kufijtë. Shul gardhi mospërf. shih te SHUL,~I. Gardhi ka sy sado tinëz që të punosh, do të merret vesh; nga sytë e botës nuk fshihesh dot. Rri (mbeti) si hu gardhi shih te HU,~RI. U bë (u rrit) kungulli e mori (e zuri) gardhin shih te KUNGU/LL,~LLI. Mos bëj hop pa e kapërcyer (pa e hedhur) gardhin! fj. u. mos u gëzo përpara kohe! Qe gardh e u bë shteg nuk u prish ndonjë punë, nuk u bë ndonjë gjë e madhe. Fusha ka sy e gardhi (mali, pylli, muri) ka veshë fj. u. shih te FUSH/Ë,~A. Rrush gardhi bot. larushk, rrush i egër.