GOGËL f.

1. Kokërr e vogël me lëvozhgë të fortë, që bëjnë disa drurë pyjorë si dushku, qarri, selvia etj. Gogël dushku (qarri, selvie): I lehtë si gogël. I vogël sa një gogël.

2. Lëng me ngjyrë të errët që nxirret nga këto kokrra e që përdoret zakonisht për të ngjyer flokët. Lyej flokët me gogël.

3. Top djathi. Një gogël djathë. Pres (ndaj) goglën.

4. Secila nga kokrrat e vogla të numëratorit, që përdoret si mjet për mësimin e aritmetikës në klasat e para të shkollës tetëvjeçare; kokërr e vogël dhe e rrumbullakët që përdoret për qëllime të ndryshme; bile. Goglat e numëratorit. Numëroj (mbledh) goglat.

5. fig. Send i vogël e pa vlerë. Nuk rrehet me gogla.

  • Bëhem gogël mblidhem si lëmsh (nga frika, nga të ftohtët etj.). Ia bëj gogël dikujt e shtrëngoj të bëjë atë që dua unë, ia fut të dy këmbët në një këpucë. Është gogël mbi ujë është i lehtë nga mendja, është mendjelehtë. Rronte (jetonte) si gogla në ujë ishte pa ndihmë e pa përkrahje; jetonte në gjendje pasigurie. Shkoi dushk për gogla shih te DUSHK,~U.