GROPË f.

1. E thelluar me përmasa të ndryshme, që është krijuar në tokë vetiu ose që është hapur për qëllime të ndryshme (për të mbjellë pemë, për të ruajtur diçka, për të shuar gëlqeren, për të mbajtur plehun etj.); pjesë e thelluar në sipërfaqen e një sendi; vrimë e madhe dhe e thellë. Gropë e vogël (e thellë, e cekët). Gropa e zezë gropa e nevojtores. Gropë predhe. Gropa e plehut (e gëlqeres). Gropë kërcimi. sport. Gropat e bilardos. Gropa e zjarrit gropa ku ndizet zjarri në vatër, vatër. Gropa e varrit. Gropë me ujë. Gropa për ullinj. Buzët e gropës. Fundi i gropës. Rruga (udha) me gropa. Mal (kodër, fushë) me gropa. Çelja e gropave. Mbjellje me gropa. Bëj (hap) gropa. U bë gropë. Mbush gropën. Ra në gropë.

2. gjeogr. Fushë e madhe e rrethuar me kodra a me male; vend i gjerë që ka një nivel më të ulët se tokat përreth; pellg. Gropa e Shkodrës.

3. Varr (edhe fig.). Gropë e përbashkët. E futën në gropë. Ia bëri gropën

a) e vrau, e zhduku;

b) i bëri një të keqe të madhe, e dëmtoi rëndë, e shkatërroi krejt. Të bëfsha gropën! shar. Është në buzë të gropës

a) është afër vdekjes;

b) është përpara një të keqeje të madhe a përpara një rreziku të madh, është në pragun e shkatërrimit a të humbjes. Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda. fj.u.

4. anat. Zgavër në disa pjesë ose në disa organe të trupit; zgavra në trupin ose në skeletin e njeriut a të kafshës, ku është vendosur një organ; vend pak i thelluar në një pjesë të trupit. Gropa e fytit. Gropa e gjurit. Gropa e syrit. Gropa e veshit. Gropa e zemrës. Gropa e dorës (e këmbës). Gropa e kraharorit. Gropa e urisë. anat. njëra nga dy të thelluarat në fund të brinjëve, ku zakonisht e shikojnë bagëtinë sa ka ngrënë.

5. përd. mb. Që është i thelluar si gropë. Vend gropë.

  • E bëri gropë (vendin) ndenji shumë kohë në një vend. Iu bë barku gropë (petë, dërrasë) kishte uri të madhe; kishte shumë kohë pa ngrënë. Iu bë zemra (barku) gropë u hidhërua, u dëshpërua shumë. Gjeti gropën e gurit u mëkëmb shpejt e papritur nga ana ekonomike, ra në kamje të madhe. Kur të shohë gropën e zverkut asnjëherë, kurrë. Gropë ajrore av. zonë, ku ajri ka një temperaturë tjetër në krahasim me atë të mjedisit përreth dhe për këtë shkak aeroplani ulet menjëherë më poshtë se lartësia e kursit.