GROPOS kal.

1. E hedh diçka në një gropë dhe e mbuloj me dhe ose me diçka tjetër; fut diçka nën tokë për qëllime të ndryshme. Gropos kashtën (bykun) për ta bërë pleh. Gropos farën në tokë.

2. Shtie në dhe dikë, varros.

3. fig. Bëj që dikush të pësojë një goditje a humbje shumë të rëndë, e shkatërroj krejt dikë, i bëj gropën, i bëj varrin dikujt. E groposën dhe s'ngriti më kokë.

4. fig. E vras dikë, e lë të vdekur në vend; e zhduk dikë a diçka, e shfaros; i jap fund diçkaje, e përmbys diçka një herë e përgjithmonë. E groposi me një të shtënë. E groposëm të kaluarën.

5. fig. Pushoj së menduari për dikë a për diçka, nuk e kujtoj më, e heq mendjen përgjithmonë nga diçka, e lë fare në harresë. E groposi dashurinë. I groposi idealet (dëshirat, ëndrrat) e dikurshme.

6. E bëj gropë një vend, e thelloj në formë grope, gropoj.