HARMONI f.

  • 1. Lidhje e natyrshme dhe e përshtatshme ndërmjet pjesëve të diçkaje, bashkim i qëlluar dhe i përpjesëtuar mirë i elementeve përbërëse të diçkaje; përpjesëtim i drejtë i pjesëve përbërëse të një të tëre ose pajtim i plotë ndërmjet dy gjërave, përputhje. Harmoni e brendshme (e jashtme). Harmonia e ngjyrave. Harmonia e trupit. Harmonia e gjymtyrëve. Ka harmoni. I mungon harmonia.
  • 2. Pajtim në mendime e në qëndrime me dikë, të shkuar mirë e pa fërkime; mirëkuptim, marrëdhënie miqësore e të ngrohta ndërmjet dy a më shumë vetave. Harmoni e plotë (e përgjithshme). Harmonia e interesave. Kanë harmoni. Veprojnë (punojnë) në harmoni.
  • 3. muz. Grup tingujsh a zërash të njëkohshëm, që venë njëri me tjetrin dhe na pëlqejnë kur i dëgjojmë; bashkëtingëllim i këndshëm zërash a tingujsh. Harmonia e tingujve (e zërave). Harmoni veglash muzikore.
  • 4. muz. Pjesë e teorisë së muzikës, që studion akordet e zërave dhe të tingujve të veglave muzikore; tërësia e parimeve të këtyre akordeve. Ligjet e harmonisë. Studion për harmoni.