hekur
HEKUR m.
- 1. vet. nj. kim. Metal i rëndë, me ngjyrë hiri në të argjendtë, që farkëtohet e punohet mirë, përdoret në teknikë e në industri dhe, kur bashkohet me karbon, jep çelik ose gizë (simboli Fe); emërtim i përgjithshëm për çeliqet që kanë pak karbon; prodhim a diçka tjetër që del prej këtij metali. Hekur i butë (i pastër, i derdhur). Mineral hekuri. Pllakë (paftë) hekuri. Tel (shufër, rreth) hekuri. Një copë hekur. Shut hekuri. Plor hekuri. Pluhur (ashkla) hekuri. Shtyllë hekuri. Lidhje (aliazh) hekuri. Skuq hekurin. Rrah (farkëtoj) hekurin. Hekuri njihet në zjarr, miku në nevojë. fj. u.
- 2. kim. Kripa e këtij metali. Barna me hekur. Spinaqi ka shumë hekur.
- 3. Send ose pajisje që është bërë me këtë metal a me lidhje të tij. Hekurat e dritares. Hekuri i zgjedhës. Hekurat e kalit pengojcë. Hekurat e frerit ngojëza. Merret me hekura është hekurpunues.
- 4. Përdorëse prej metali, zakonisht e rëndë, që nxehet me mënyra të ndryshme dhe shërben për të hekurosur rrobat. Hekur me korrent (me prush). Hekur i shkallëzuar. I jap një hekur hekuros. Nuk mban hekur nuk qëndron gjatë në gjendje të hekurosur (për rrobat).
- 5. det. Çengel, spirancë. Hedh (ngre) hekurin.
- 6. sport. Shul i rrumbullakët çeliku, i mbërthyer horizontalisht mbi dy shtylla, që shërben për ushtrime gjimnastikore. Ushtrime në hekur.
- 7. vet. bised. Pranga; zinxhirë për të lidhur. I vuri (i hodhi) hekurat. E lidhi me hekura. E vuri në hekura. Është bërë për hekura edhe fig. s'është fare në vete, është marrosur.
- 8. përd. mb. Shumë i fortë. Është hekur. E ka zemrën hekur. Është bërë hekur është forcuar shumë.
- Udhë hekuri (e hekurt) vjet. shih tek UDH/Ë,~A 1. Bren hekur me dikë shih te BREJ. U vesh me (në) hekur (çelik) shih te VISHEM. Ha (bren) hekurin (çelikun, plumbin, gurin) me dhëmbë shih te DHËMB, ~I. Ka durim prej hekuri (prej guri) dikush shih te DURIM,~I. I pret gjuha (goja) hekur (gozhdë, brisk) shih te PRES I. Merr hekurat zvarrë rrëmbehet shumë. Gjuha pret hekurin (çan gurin, çan shkëmbin) fj. u. shih te GJUH/Ë,~A I. Hekuri rrihet sa është i nxehtë fj. u. çdo punë do bërë në kohën e vet, shpejt dhe asnjëherë të mos shtyhet për më vonë. Koha (periudha) e hekurit hist. periudha historike rreth një mijë vjet para erës së re, kur nisi të punohej hekuri (pas periudhës së bronzit).