JASHTËM mb.

  • 1. Që gjendet a që kryhet jashtë diçkaje, që nuk përfshihet brenda kufijve të saj; që është në anë të diçkaje; kund. i brendshëm. Pjesa (faqja, ana...) e jashtme. Muret e jashtme. Shkallë e jashtme. Dera (porta) e jashtme. Xhepi i jashtëm. Lagjet e jashtme të qytetit. Veshje të jashtme. Kënd i jashtëm. gjeom.
  • 2. Që nuk lidhet me anën shpirtërore dhe me veprimtaritë psikike të njeriut, që nuk ka të bëjë me botën e tij të brendshme; që ndodh a që bëhet jashtë njeriut; kund. i brendshëm. Bota e jashtme. Gjendja e jashtme. Shtysë e jashtme. Mjedis i jashtëm. Veprim (ngacmim) i jashtëm.
  • 3. Që nuk ka të bëjë me përmbajtjen a me brendinë e vërtetë të diçkaje, që nuk prek thelbin e një gjëje, i sipërfaqshëm; që ka të bëjë vetëm me atë që duket a që mund të shihet, që bëhet a që kryhet nga jashtë; kund. i brendshëm. Ndryshime të jashtme. Lidhje të jashtme. Qetësi e jashtme. Shkëlqim i jashtëm. Shfaqje (shenja) të jashtme. Pamje e jashtme e diçkaje. Demokraci e jashtme. Shkak i jashtëm.
  • 4. Që lidhet me jetën jashtë një vendi, një rrethi shoqëror a një familjeje; që i përket veprimtarisë, e cila zhvillohet jashtë një shteti, një njësie administrative, një ndërmarrjeje a një institucioni, një organizate etj.; që gjendet ose që bëhet jashtë kufijve të një vendi a të një shteti; kund. i brendshëm. Mallra (prodhime) të jashtme. Stof i jashtëm. Tregu i jashtëm. Tregtia e jashtme. Gjendja e jashtme. Politika e jashtme. Faktori i jashtëm. Armiqtë e jashtëm. Presioni i jashtëm. Ministria e Punëve të Jashtme. Njeri i jashtëm njeri që s'ka lidhje gjaku me një familje ose lidhje të ngushta me një rreth shoqëror. Nxënës i jashtëm nxënës që nuk jeton në konvikt. Bashkëpunëtor shkencor (pedagog) i jashtëm bashkëpunëtor shkencor ose pedagog që nuk është punonjës i rregullt i një institucioni shkencor ose mësimor, por që bën punë shkencore a jep mësim duke qenë punonjës i rregullt i një institucioni tjetër.