juaj
JUAJ pron.
(gjin. dhan., kallëz. rrjedh. TUAJ; TUAJ kur prona shënohet nga një emër i gjinisë mashkullore, gjin., dhan., rrjedh. SUAJ; kallëz. TUAJ; TUAJA kur prona shënohet nga një emër i gjinisë femërore).
- 1. Që ju përket juve, pronar i të cilit jeni ju, që e keni ju. Libri juaj. Shtëpia juaj. Në dhomën tuaj.
- 2. Që ka të bëjë me ju, që ka lidhje të ngushta, lidhje gjaku, lidhje farefisnie a ndonjë lidhje tjetër me ju. Nëna (motra, vëllai, babai) juaj. Shokët tuaj. Shoqet tuaja. Fëmijëve tuaj. Nxënësi juaj. Fqinja juaj.
- 3. Të cilit i përkisni edhe ju, pjesëtar a anëtar i të cilit jini dhe ju, në të cilin bëni pjesë edhe ju; që e drejtoni ju, në krye të të cilit jeni ju. Atdheu (qyteti, fshati) juaj. Lagjja (rruga, uzina) juaj. Reparti (sektori) juaj.
- 4. Që është përgatitur a është hartuar nga ju, që e keni bërë ose e bëni ju, që del a krijohet së pari nga ju; që e ushtroni ju. Tregimi (romani, plani) juaj. Fjala juaj. Puna (mjeshtëria) juaj. Gabimi (kujdesi) juaj. Sipas mendimit tuaj.
- 5. Që e keni ju, që është te ju; që ju dallon a ju karakterizon ju, që ju përket juve; që lidhet me ju, që është a, që bëhet për ju. Krahët tuaj. Zakoni juaj. Sjellja juaj. Vullneti (nderi) juaj. Zotësia (aftësia) juaj. Mosha juaj. Në shërbimin tuaj. Për të mirën tuaj.
- 6. Që ju pëlqen më shumë, që e doni më shumë se të tjerët. Vendi juaj i përditshëm. Kënga juaj. Pija (ëmbëlsira) juaj.
- 7. Përdoret kur i drejtohemi dikujt a flasim me dikë që duam ta nderojmë. Libri juaj, shoku mësues. Në emrin tuaj.
- 8. përd. em. m. JUAJI, TUAJT, f. JUAJA, TUAJAT. Njeri i afërt, me të cilin keni lidhje gjaku, lidhje farefisnie ose lidhje të ngushta miqësie; mik, shok a shoqe që e doni dhe që i besoni shumë. Disa nga tuajt (nga tuajat). S'është juaji (juaja). Shkoi juaji (juaja). U mundën tuajt (tuajat).
- 9. përd. em. sipas kuptimeve të përemrit pronor.