KAZAN m.

  • 1. Enë e madhe prej metali (zakonisht prej bakri), e rrumbullakët dhe me dy veshë, që shërben për të zier ujë, ndërresa, gjellë etj. Kazan rrobash. Kazan rakie kazan i mbyllur, ku zihen rrushi, kumbullat etj. për të bërë raki. Gjellë kazani. mospërf. gjellë jo e mirë. Ziej në kazan. Vë kazanin në zjarr.
  • 2. tek. Pjesë e kaldajës, e lokomotivës etj., që përbëhet nga një enë e mbyllur e metaltë, ku prodhohet avull uji ose përpunohet diçka në temperaturë të lartë. Kazan avulli. Kazani i lokomotivës. Kazani i vullkanizimit (i distilimit).
  • 3. keq. Vendi ku zhvillohet vazhdimisht një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj.; vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj.
  • Balli i kazanit shih te BALL/Ë,~I. Fundi i kazanit shih te FUND,~I. Iu shpua kazani dikujt nuk i doli ashtu siç e mendonte, i doli huq. Zien kazani flasin njerëzit a bota për diçka; flitet; zhvillohet një veprimtari e ethshme. Zien si kazan thuhet për dikë që flet me vete a që është shumë i shqetësuar, për shkak se ka diçka që e mundon, por nuk e thotë hapur. Ziejnë në një kazan shih te ZIEJ. Mos e prish kazanin (jahninë) për një qepë shih te QEP/Ë,~A.