KOOPERATIVË f.

  • 1. Ekonomi kolektive socialiste, e krijuar nga bashkimi vullnetar i punonjësve të një fshati a të disa fshatrave, të cilët kanë bashkuar tokat dhe mjetet e tjera kryesore të prodhimit, punojnë së bashku dhe i ndajnë të ardhurat sipas sasisë e cilësisë së punës që kryejnë. Kooperativë bujqësore (blegtorale). Kooperativë e zmadhuar (e bashkuar). Kooperativë e tipit të lartë. Kooperativë malore (fushore). Anëtarët e kooperativës. Statuti i kooperativës. Kryesia e kooperativës. Asambleja e kooperativës. Qendra e kooperativës. Të ardhurat e kooperativës. Krijimi i kooperativës. Hynë në kooperativë.
  • 2. vjet. Formë kolektive socialiste e organizimit të punës në sferën e prodhimit; të qarkullimit a të shërbimeve, në të cilën merrnin pjesë shumë njerëz të organizuar sipas punës që kryenin ose sipas prodhimit që nxirrnin. Kooperativë shitblerje. Kooperativë artizanati. Kooperativë konsumi. Kooperativa e veshmbathjes. Kooperativa e këpucarëve.
  • 3. vjet., bised. Dyqan a pikë shitjeje e mallrave të ndryshme që tregtonte një kooperativë a një ndërmarrje shtetërore (në vitet e para pas Çlirimit). Kooperativa e frutave dhe e zarzavateve. Kooperativa e veshmbathjes. E bleu në kooperativë.
  • 4. Bashkim i prodhuesve e i tregtarëve të vegjël mbi baza kapitaliste, për të përballuar konkurrencën dhe për të siguruar fitime sa më të mëdha.