kut
KUT m.
- 1. vjet. Njësi për të matur gjatësinë, e barabartë me 64 ose me 80 centimetra. Matnin pëlhurën me kut. Bleu tetë kute basmë.
- 2. Pjesa e krahut nga bërryli deri te gishtërinjtë; masë gjatësie sa kjo pjesë e krahut (për litarë etj.). Llëra dhe kuti.
- 3. Më i gjati nga të dy shkopinjtë në lojën cingëlthi. Gjuaj me kut.
- Nuk i doli në kut nuk i doli ashtu siç e kishte parashikuar (një punë, një llogari etj.). Nuk e nxori në kut nuk ia doli mbanë, nuk e përfundoi dot mbarë (një punë). Nuk më hyn në qese (në trastë, në kut) diçka shih te HYJ. E mat me kutin e vet e vlerëson diçka sipas mundësive e aftësive të veta, sipas pikëpamjeve të veta ose ashtu si i vjen mirë a i pëlqen atij.