lakër
LAKËR f.
- 1. bot. Një nga perimet kryesore të vjeshtës e të dimrit që mbillet në kopshte e rritet si kokërr e madhe me gjethe të gjera, të mbledhura e të ngjeshura njëra mbi tjetrën. Lakër e bardhë (e kuqe). Lakër turshi. Një kokë lakër. Koçani (kërcelli) i lakrës. Fletët (gjethet) e lakrës. Supë (sallatë) me lakër. Japrak me lakër. Mish me lakër.
- 2. Përdoret si pjesë e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta që shënojnë dëmtues ose sëmundje të kësaj bime. Çimka (tartabiqja) e lakrës. zool. Futura e lakrës. zool. Miza e lakrës. zool. Morri i lakrës. zool. Pleshti i lakrës. zool. Tenja e lakrës. zool. Turigjati i lakrës. zool. Vemja e lakrës. zool. Vrugu i lakrës.
- 3. bot. zakon. Barishte të ndryshme të egra e të buta (si lëpjetë, laboti, nenët, hithra, spinaqi etj.) që përdoren si ushqim për njerëzit e për kafshët. Lakra të egra (të buta). Lakra dimri (behari). Lakra mali. Byrek (lakror) me lakra. Gjellë me lakra. Mbledh lakra. Grij lakrat.
- 4. vet. fig. bised. Mendime të gabuara të turbullta e prapanike ose mendime të kundërta me botëkuptimin tonë socialist, që ka dikush në kokë e që duhet t'i heqë. Njeri me lakra. Ka lakra në kokë. Ia hoqën (ia shkulën) lakrat nga koka.
- E bëri lakër
- a) diçka e bëri copë-copë, e copëtoi, e griu;
- b) dikë e rrahu fort, e bëri fërtele, e lakanisi. U bë lakër u këput e u zdërlaq nga lodhja, nga vapa e madhe ose nga një sëmundje. Grin lakër (sallatë) shih te GRIJ. Hyri nëpër lakra u përzie kot në një punë të ngatërruar a në diçka që nuk i takon. Lëng ndër lakra shih te LËNG,~U. I ndau (i qëroi) lakrat (llogaritë, hesapet) me dikë shih te NDAJ. E zuri (e kapi, e gjeti) ndër lakra e zuri dikë duke bërë një punë të keqe, e zuri me presh në duar. U bë si lakër e bujtur nuk ka më lezet, u bë i mërzitshëm; i ra rëndësia, s'ia var më njeri. I ka rënë shiu në lakra i shkon puna shumë mirë. I dolën (iu zbuluan) lakrat lakrorit iu zbuluan dikujt të fshehtat që kërkonte të mbante (për diçka të keqe); i dolën në shesh të palarat. Është hapur si vaji në lakra (në ujë) shih te VAJ,~I I. E kam (jemi) lakra (presh) në kopsht dikë (me dikë) iron. s'e kam gjë fare dikë, nuk kam ndonjë lidhje farefisnie me të; jemi shumë të largët njëri me tjetrin. Ia nxori (ia qiti) lakrat në shesh ia zbuloi punët e këqija që kishte bërë, ia nxori fajet a gabimet në shesh. Rronte me një shoshë lakra ishte i varfër e i këputur. Vaji në lakra bie shih te BIE I. U derdh lëngu e ra në lakra shih te LËNG,~U. Lule lakre bot. lulelakër.
LAKËR DETI bot.
Lloj alge e ujërave të kripura që bëhet e rrumbullakët si kokë lakre.
LAKËR PATE bot.
Bimë barishtore e egër, me gjethe si të dejëzës, por më të vogla, me lule të verdha e me fara të grumbulluara në vile, që rritet në toka me lagështi dhe e hanë shumë patat e rosat.
LAKËR QENI bot.
Bimë barishtore e egër, që rritet në kullota e në vende me shkurre dhe që ka lëng të hidhur e mund të helmojë kafshët që e hanë.
LAKËR E VERDHË bot.
Bimë barishtore e egër, me lule të verdha e të rrumbullakëta, me gjethe të vogla e me push në anën e poshtme, që rritet në vende pa ujë ose pa lagështirë të tepërt.
LAKËR ZOGU bot.
Bimë barishtore njëvjeçare, me gjethe të holla, me lule të grumbulluara dhe me fara të mbledhura si xhufkë, të cilat i hanë shumë zogjtë dhe që rritet në lëndina e fusha.