logjikë
LOGJIKË f.
- 1. Shkenca që studion ligjet e mendimit dhe format e tij; lënda mësimore që jep njohuritë e nevojshme të kësaj shkence në shkollë; bised. teksti që përmban këto njohuri. Logjika dialektike shkenca që studion ligjet dhe format e të menduarit në lidhjet e tyre të ndërsjella, në zhvillimin e tyre nga më e ulëta te më e larta, nga më e thjeshta te më e ndërlikuara, si edhe në lidhjet e tyre me ligjet e botës objektive. Logjika formale shkenca që studion ligjet e format e të menduarit drejt, pa lënë mënjanë përmbajtjen konkrete të tij. Logjika matematike shkenca që përdor metodat formale të matematikës në fushën e të menduarit; zbatimi i logjikës dhe i veprimeve logjike në fushën e matematikës. Kategoritë e logjikës. Ligjet e logjikës. Mësuesi i logjikës. Libri i logjikës.
- 2. Fuqia e arsyetimit, aftësia për të gjykuar drejt; diçka që e pranon arsyeja ose që është në pajtim me arsyen; arsye; mënyra si arsyeton dikush. Logjikë e shëndoshë (e fortë, e hekurt). Ka logjikë. Flet (arsyeton, gjykon) me logjikë. Sipas logjikës së fëmijës. Ç'logjikë është kjo?
- 3. Lidhja e brendshme, e rregullt dhe e domosdoshme ndërmjet sendeve, ngjarjeve e dukurive, e cila shpjegon një zhvillim, një ndryshim etj. Logjika e ngjarjeve (e fakteve). Veprime (ngjarje) pa logjikë.