lugë
LUGË f.
- 1. Përdorëse prej metali a prej druri, që ka një kupë të vogël në trajtë vezake e një bisht të gjatë dhe që shërben për të ngrënë gjellë ose ushqime të tjera sidomos të lëngshme; sasia e gjellës a e një lënde tjetër sa nxë një përdorëse e tillë. Lugë e madhe qepshe, garuzhdë. Lugë alumini (druri). Lugë gjelle. Lugë kafeje (çaji). Një dyzinë (një teste) lugë. Takëm lugësh e pirunësh. Një lugë sheqer (kafe, miell). Një lugë reçel (mjaltë). Një lugë kos (përshesh). Vjeshtë e lugë kur nis të ftohet moti duhen gjellë të ngrohta. Ha (marr) me lugë. Përziej me lugë. I hedh dy lugë kripë. Mori (hëngri) nja dy lugë dhe u ngrit. Nuk hëngri asnjë lugë.
- 2. Vegël zakonisht e metaltë, me një pjesë si kupë a si lopatëz dhe me një bisht ose me një zgjatim, që përdoret për të marrë diçka, për të përzier lëndë të ndryshme etj. Lugë pastruese. tek. Lugë shpimi. tek. Lugë shënimi. usht. Lugë lulesh lopatë e vogël për të shkrifëruar dheun e vazove. Lugë këpucësh përdorëse që shërben për të mbathur këpucët, mbathës. Lugë thëngjijsh (gacash) kaci zjarri. Lugë llaçi mistri.
- Një lugë (një majë luge) fare pak, shumë pak. Kam ngrënë me një lugë me dikë e kam pasur shok a mik të ngushtë dikë; e njoh shumë mirë. S'ka lugë për dikë nuk i japin dikujt pjesën që i takon, e lënë pa gjë. Me lugë në brez keq. vetëm për të ngrënë; i gatshëm për të ngrënë kudo e kurdoherë në kurriz të të tjerëve, qelepirxhi. Iu njom luga dikujt u mëkëmb pak nga gjendja ekonomike, e mori pak veten. S'më thahet luga shih te THAHEM. Ia than lugën dikujt shih te THAJ. Është bërë si bisht luge është dobësuar shumë, është tretur e tharë nga trupi. Është bërë si lugë çervishi shih te ÇERVISH,~I. I ra luga (sëpata, sqepi, shpata, thika) në mjaltë shih te MJALT/Ë, ~I. I ra luga në qumësht dikujt shih te QUMËSHT,~I. I bie maces me lugë mospërf. është në moshë ende të vogël, është foshnjë ose si foshnjë, i papjekur dhe nuk kupton se ç'bëhet; bën veprime prej çilimiu. I ra me lugë të madhe diçkaje e harxhoi pa kursyer fare, i ra pa e mbajtur dorën, u tregua tepër dorëlirë. Doli lugë e larë shih te LARË (i, e). Ia di lugët në kaçile dikujt ia di të gjitha të fshehtat, ia njoh edhe zorrët e barkut. Ia di lugët e pirunët dikujt di gjithçka për dikë, ia njoh mirë edhe gjërat e imëta të shtëpisë; i njoh dhëmbë e dhëmballë. Ia ka djegur luga (qulli) buzën shih te QULL,~I. I fryn lugës së tij shih te FRYJ. I futi lugët në kosh mbeti pa gjë fare, nuk mori asgjë, i lau duart (kur nuk i del ajo që kishte parashikuar më parë). E gjeti lugën në pilaf keq. e gjeti gati çdo gjë, e gjeti shtruar. Ka ngrënë me gjysmë lugë iron. është shumë i dobët nga trupi, është si i ngordhur. Hante me lugë të florinjtë ishte në gjendje shumë të mirë, s'i mungonte asgjë, bënte jetë përrallore (për një të pasur). Hyn (futet) si luga në pilaf keq. merr pjesë menjëherë në diçka; ndërhyn menjëherë edhe atje ku nuk i takon, fut hundët. Është lugë e larë shih te LARË (i, e). Është lugë për vegsh është njeriu më i përshtatshëm për të bërë diçka; është pikërisht ai që duhet. I dhënça ujë me lugë! mallk. u bëftë për vdekje, shkoftë në buzë të varrit! Kërkon të hajë me dy lugë keq. kërkon të përfitojë nga të dy krahët, përpiqet të nxjerrë përfitime për vete duke e pasur mirë me të dy palët. Kërkon të hajë me lugë të madhe keq. kërkon të përfitojë nga diçka më shumë nga sa i takon; është lakmitar. E la (e hodhi) në shportën e lugëve diçka shih te SHPORT/Ë,~A. Nuk thahet (nuk soset) deti me lugë fj. u. shih te DET,~I. I mbeti luga në pilaf iron. u turpërua, mbeti me turp. Mbeti me lugë të zbrazët (bosh) shih te ZBRAZËT (i, e). Ngopet me lugë të zbrazët (bosh) shih te ZBRAZËT (i, e). S'i mori luga gjë tall. s'i eci mbarë puna, nuk i vajti mirë, s'fitoi gjë, s'i mori lopata ujë. I mbeti luga në qull iron. nuk i eci fjala, nuk ia dëgjuan fjalën që tha, nuk ia vunë veshin. S'ia pret luga lugën thuhet për dikë që ha me nxitim të madh ngaqë është shumë i uritur. I zuri luga ujë u mëkëmb pak nga gjendja ekonomike, iu njom luga. Ia di sa lugë ka në shtëpi dikujt e njoh mirë e me të gjitha hollësitë gjendjen e dikujt, ia di lugët e pirunët. Të jep ujë me bisht (me shpinë) të lugës shih te BISHT, ~I. Mbytet me një lugë (pikë, gotë, filxhan, gisht) ujë mospërf. shih tek UJ/Ë,~I. Të vë në bisht të lugës ta hedh kur të duash, të tall e ta punon me lehtësi. U zunë (u prishën) për një lugë çorbë u zunë për diçka fare të vogël, u prishën për dy para spec. E di luga se ç'ka vorba (vegshi, poçja) fj. u. e di i zoti ku i pikon shtëpia. Me lugë të kon, me bisht të verbon keq. është njeri me dy faqe, shumë i lig e dinak, në sy të ndihmon e pas krahëve të dëmton. Luga e madhe të zë fytin (të shqyen gojën) fj. u. mos lakmo shumë se të del keq më pas! Atje ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël! fj. u. atje ku bëhet diçka me bujë e me zhurmë të madhe, nuk del gjë; mos u gënje nga zhurma e nga buja! Ku të tregojnë copën e madhe merr lugën e vogël! fj. u. kur të lëvdojnë tepër diçka, mos prit shumë prej saj! Luga mbush barkun, piruni than gurmazin fj. u. për t'u ngopur mirë duhen gjellë të ngrohta e jo vetëm gjëra të thata.