MASKË f.

  • 1. Copë kartoni, pëlhure, lëkure etj., e prerë në trajta e përmasa të ndryshme, e vizatuar ose e përkulur në trajtën e një fytyre njeriu a të turirit të ndonjë kafshe, që e vë dikush në fytyrë për të mos u njohur nga të tjerët. Maskë njeriu. Maskë luani (tigri, maçoku). Maskë karnavalesh. Maskë teatri (cirku). Ballo me maska. Vuri (hoqi) maskën.
  • 2. Mbulesë prej lëndësh të posaçme, që vihet në fytyrë zakonisht për t'u mbrojtur nga ndonjë rrezik, nga ndonjë dëmtim etj. Maskë mbrojtëse. Maskë nënujëse. Maskë garze (cohe, gome, xhami, teli, metali). Maskë kirurgu. Maskë saldimi. Maskë skerme. Maskë kundër bletëve. Maskë kundërgaz. usht. Punon me maskë.
  • 3. Trajtë fytyre prej allçie a prej lënde plastike, që nxirret si kopje e fytyrës së dikujt (zakonisht e një të vdekuri). Maska e Bethovenit. Maska e të vdekurit.
  • 4. fig. Pamje e jashtme e shtirë, pamje mashtruese; dukje që fsheh një ndjenjë, një gjendje a thelbin e vërtetë të diçkaje; mbulesë. Maskë miqësie. Maska e virtytit. Vuri maskën e demokratit (e internacionalistit). Ia grisi (ia çori, ia hoqi) maskën dikujt a diçkaje i zbuloi fytyrën e vërtetë dikujt a diçkaje, e nxori në shesh, e demaskoi. Hoqi (flaku) maskën doli me fytyrën e vërtetë, e zbuloi plotësisht veten se kush ishte. I ra maska i doli fytyra e vërtetë, u zbulua plotësisht kush ishte, u demaskua.