MBËRTHEJ kal.

  • 1. Fut kopsën në ilik; kap e bashkoj me kopsa, me karficë etj. dy anët e një veshjeje, të një rrobe etj.; kund. zbërthej. Mbërthej kopsat (sustat). Mbërthej zinxhirin. Mbërthej këmishën (pallton, pantallonat). Mbërthej çantën. Mbërthej me kopsë (me karficë).
  • 2. Ngul gozhdë në një dërrasë etj. për ta ngulitur mbi diçka, ngallmoj. Mbërthej me gozhdë. Mbërthej me çekiç. Mbërthej dërrasat (trarët). Mbërthej arkën (derën, dyshemenë). Mbërthej këpucët (takat) me thumba. E mbërtheu në mur.
  • 3. Var a kap një gjë diku me gjilpërë, me karficë, me tel etj., e vendos, e ngjesh. Mbërtheu dekoratat në gjoks. Mbërtheu shpatën në brez. Mbërtheu fluturat në album. Mbërtheu vëthët në vesh.
  • 4. E rrok mirë dikë a diçka me duar ose me ndonjë mjet tjetër dhe e shtrëngoj fort që të mos më shpëtojë; e kap, e zë, e shtrëngoj fort (edhe fig.). E mbërtheu për fyti (për gryke, për flokësh, për beli, për mënge). E mbërtheu me krahë. E mbërtheu timonin me të dyja duart. Mbërtheu çekiçin e nisi të punonte. Mbërtheu dhëmbët e s'e hapi gojën. E mbërthyen kur po kapërcente kufirin.
  • 5. Vë kaun në zgjedhë, mbreh; lidh kalin në karrocë; kund. zbërthej. Mbërtheu qetë në parmendë.
  • 6. Bashkoj pjesët e veçanta të një mekanizmi në një të tërë, duke e vënë secilën në vendin e vet; kund. zbërthej. Mbërthej mitralozin (topin). Mbërthej bajonetën në pushkë. Mbërthej vidhat.
  • 7. fig. E bëj dikë të qëndrojë në një vend pa lëvizur ose për një kohë të gjatë; e vë në një gjendje të tillë sa që s'ka nga luan, e zë ngushtë; ia mbledh keq. E mbërtheu në vend me një vështrim. E mbërtheu mirë me fjalë. S'e mbërthen dot atë.
  • 8. vet. veta III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Më kap keq, më zë mirë e s'më lëshon (sëmundja, frika etj.); më pllakos (edhe fig.). E ka mbërthyer sëmundja (gripi, përdhesi). E mbërthyen ethet. E mbërtheu gjumi. E mbërtheu frika. E mbërtheu rakia e zuri keq rakia, u deh. Na mbërtheu shiu (bora, të ftohtët). Kriza ka mbërthyer gjithë botën kapitaliste.
  • 9. fig. Ngul fort (sytë, vështrimin) mbi dikë a mbi diçka dhe nuk ia heq. Ia mbërtheu shikimin (vështrimin). I mbërtheu sytë me habi.
  • 10. bised. E mbush plot. E mbërtheu shtëpinë me të mira.
  • E mbërtheu (e kapi, e zuri) për fyti (për gryke) shih te FYT,~I. E mbërtheu gojën nuk foli fare, s'e çeli gojën. I mbërtheu sytë mospërf. vdiq. E mbërthej (e mbaj, e gozhdoj) në vend shih te VEND,~I.