MBJELL kal.

  • 1. Hedh farën e një bime në tokë të punuar me qëllim që të mbijë e të japë prodhim. Mbjell grurë (misër, fasule). Mbjell tokën (arën) me pambuk (me patate). E mbjellim në fole. E mbollën shpejt (herët, vonë).
  • 2. Ngul në dhe fidanë barishtesh, pemësh e drurësh, duke u bërë shërbimet e duhura, me qëllim që të zënë e të zhvillohen; mbëltoj, vë. Mbollën kumbulla (qershi, mollë, pemë). Mbjellin duhan (presh, domate). Mbjell lule. Mbollën filiza (fidani). Mbjellin hardhi. Mbjellin drurë zbukurimi.
  • 3. fig., kryes. shaka. Lëshoj një nga një, shpërndaj, përhap; humb (zakonisht kur diçka na bie në tokë pa e kuptuar). I mbolli plaçkat rrugës. I mbolli paratë.
  • 4. fig. Përhap, shtrij; fut, shkaktoj. Mbollën lirinë. Mbollën qytetërimin (diturinë). Mbolli farën e patriotizmit. Mbillte mosbesim (përçarje, grindje, frikë, pakënaqësi, dyshim). Mbollën vëllavrasjen. Mbillnin kob e zi. Pushtuesit mbollën vdekjen.
  • Mbjell në dushk shih te DUSHK,~U. Mbjell ferra nëpër këmbë bëhet pengesë, fut ngatërresa. Është mbill e mos korr (një punë, një gjendje) është rrëmujë e madhe, është puna lëmsh, s'e merr vesh i pari të dytin. Ku mbjell nuk korr dikush nuk qëndron kurrë në një vend, s'i zënë këmbët dhe bredh pa pushim rrugëve, është rrugaç. Ç'të mbjellësh, do të korrësh fj.u. sipas punës do të kesh edhe shpërblimin; ç'të bësh, do të gjesh. Mbjell misër e korr tallë shih tek TALL/Ë,~A. Mbolli thekër e i doli gruri dikujt i vete mbarë gjithçka, i shkon puna shumë mirë. Mbolli bostan e i dolën kastravecë iron. ndryshe e mendoi e ndryshe i doli, mendoi për mirë, po i doli keq. Kush mbjell erën, do të korrë furtunën (stuhinë) fj. u. libr. kush bën një të keqe, do ta pësojë nga një e keqe më e madhe.