menduar
MENDUAR as.
- 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve MENDOJ, MENDOHEM.
- 2. psikol. Formë e pasqyrimit të përgjithësuar të botës objektive në vetëdijen e njeriut me anë të nocioneve, të gjykimeve dhe të arsyetimeve; veprimtaria mendore për të zbuluar ngjashmëritë e dallimet që kanë sendet e dukuritë e ndryshme si edhe lidhjet e varësitë ndërmjet tyre; shkallë e veçantë, më e larta, në procesin e njohjes e të pasqyrimit të botës reale në ndërgjegjen e njeriut; mënyra se si mendon dikush; mendim. Të menduarit krijues (logjik, abstrakt, kritik). Të menduarit me figura. Llojet e të menduarit. Zhvillimi i të menduarit. Veprimtaria e të menduarit.
Shpejtësia e të menduarit. Mënyra e të menduarit. Truri është organi i të menduarit.
MENDUAR mb.
- 1. Që ka rënë në mendime, i kredhur në mendime; që shpreh gjendjen e një njeriu të zhytur në mendime. Njeri i menduar. Me fytyrë të menduar. Rri (ecën) i menduar. Ishte shumë i menduar.
- 2. Që është menduar dhe është studiuar mirë që më parë, që është shoshitur si duhet nga të gjitha anët; i peshuar, i matur. Punë (vepër) e menduar. Fjalë e menduar. Vendim i menduar.
MENDUAR ndajf.
- Duke menduar, si i zhytur në mendime, mendueshëm. Rrinte (ecte) menduar.