model
MODEL m.
- 1. Diçka që zakonisht është punuar veçan dhe merret si shembull për të bërë edhe një tjetër ose disa të tjera si ajo; gjedhe; diçka e prodhuar rishtas në seri sipas një gjedheje të caktuar ose në një formë të re a me një ndërtim të ri. Model i ri (i vjetër, i thjeshtë). Modele të reja këpucësh. Modele pranverore (dimërore). Modeli i fustanit (i bluzës, i raftit). Modele pikture (vizatimi). Modele shkronjash. Modele të përmirësuara biçikletash (automjetesh). Byroja e modeleve. Pushkë (armë) model 1940. Kopjoi një model. E bëri sipas modelit.
- 2. Kallëp ose formë që shërben për të prodhuar sende të tjera në seri, të cilat kanë trajtë e përmasa të njëjta me të. Model prej metali (llamarine, druri, allçie, balte, kartoni). Foleja e modelit. Bëj (përgatit) një model. E derdhi në model.
- 3. Skema ose paraqitja e zvogëluar e një sendi a e një objekti; maket. Model makine (anijeje, aeroplani). Model ure (ndërtese). Model fshati.
- 4. art. Njeri ose send, të cilin e mban përpara një piktor a një skulptor si gjedhe për të krijuar një vepër arti. E zgjodhi për model. E kishte model. Qëndrimet e modelit.
- 5. fig. libr. Njeri a diçka që shquhet për cilësi të larta dhe që merret si shembull për t'u ndjekur edhe nga të tjerët; shembull. Model heroizmi (vetëmohimi, besnikërie, trimërie, vendosmërie, pune, thjeshtësie). Mësuesi është model për nxënësit.
- 6. Përd. mb. libr. sipas kuptimit 5 të emrit. Ndërmarrje (fermë) model. Shtëpi (shkollë, klasë) model. Fshat model. Mbledhje (mbrëmje) model. Kolektiv (punëtor) model. Burrë (grua, bashkëshort) model. Nxënës model.