MPREHTË mb.

  • 1. Që ka teh të hollë dhe pret shpejt e mirë (për thikën, briskun etj.). Thikë e mprehtë. Gërshërë të mprehta. I mprehtë si brisk.
  • 2. Që është me majë të hollë në skaj (për shtizën, për lapsin etj.); që është shumë i hollë e të shpon. Laps i mprehtë. Gjemba të mprehtë. Me majë të mprehtë.
  • 3. Që vjen e hollë, e hequr dhe e zgjatur nga mjekra; që ka tipare të theksuara (për fytyrën). Fytyrë e mprehtë. Me tipare të mprehta.
  • 4. Që është me rëndësi të veçantë e kërkon kujdes të madh, vëmendje të posaçme etj.; që është i vështirë dhe kërkon mençuri, durim etj. për t'u zgjidhur; shumë i rëndësishëm e i ngutshëm. Problem i mprehtë. Detyrë (çështje, temë) e mprehtë. Bëhet gjithnjë më i mprehtë.
  • 5. fig. I lartë e therës (për zërin); që të prek në zemër, i thekshëm. Zë i mprehtë. Thirrje (klithmë) e mprehtë.
  • 6. fig. Që i kupton shpejt e thellë çështjet, shumë i zgjuar e i shkathët nga mendja, që i kap gjërat shpejt e s'i shpëton asgjë; që shquhet për forcën, për aftësinë a për shkallën e lartë të veprimit; që ka fuqi të madhe dhe e kryen shpejt e mirë punën e vet; i fortë, i fuqishëm; therës. I ka sytë (veshët) të mprehtë. Vështrim i mprehtë. Arma e mprehtë e kritikës. I mprehtë nga gjuha i zoti nga goja, shumë i fortë në të folur, brisk nga gjuha. E mbaj të mprehtë diçka e mbaj diçka gjithnjë të fortë e gati, nuk e dobësoj asnjëherë. Vajzë (nxënëse) e mprehtë. Djalë (burrë) i mprehtë. Është i mprehtë. E ka mendjen (trurin) të mprehtë.
  • 7. fig. Që shpreh ose që përmban një mendim a një kuptim të thellë, të hollë a të zgjuar, që të jep të kuptosh shumë, i goditur; që është veti e një njeriu të zgjuar e të shkathët nga mendja. Fjalë (shprehje) e mprehtë. Mendimi i mprehtë. Pyetje (përgjigje) e mprehtë.
  • E mban (e ka) penën të mprehtë shih te PEN/Ë, ~A. E vështroi me sy të mprehtë e vështroi me vëmendje të madhe, e vështroi me mprehtësi.