NDIHMOJ kal.

  • 1. I jap ndihmë, i lehtësoj barrën, punën, mundin a vështirësitë; e shpëtoj nga një rrezik ose gjendje e vështirë; i jap dorën, e përkrah, e mbështet. Ndihmon shokët. E ndihmoi në punë (në rrezik, në vështirësi). E ndihmoi me fjalë (me këshilla). Ndihmoj nga afër dikë. Ndihmoi pa u kursyer. E ndihmon për të mësuar. Më ndihmo ta ngre!
  • 2. I jap të holla ose diçka tjetër një njeriu që ka nevojë; i jap atë që i duhet. E ndihmoi me të holla. E ndihmoi me libra. E ndihmon pa u kursyer (me gjithë shpirt, me të dyja duart).
  • 3. vet. veta III. Shërben për të lehtësuar zhvillimin e diçkaje a për të bërë diçka, lehtëson; i sjell dobi, i jep dorë. E ndihmon zhvillimin (rritjen). Këto masa ndihmuan shumë. Nuk na ndihmoi moti.