NGEL m.

  • Ngërç. I zuri ngeli këmbën. E ka kapur ngeli.


NGEL jokal.

  • 1. Ndal në vend, sepse s'kam mundësi për të lëvizur më tej, nuk kam më fuqi të eci më tej; pushon së lëvizuri a së punuari diçka ngaqë i pakësohet forca; mbetem, ngec. Ngeli kali (mushka, gomari). Ngeli makina (karroca) në baltë. Ngeli në vend s'lëviz dot as para as prapa. Ngeli prapa. Ngeli në rrugë. Ngeli ora. Ngeli motori.
  • 2. Nuk e kaloj dot një klasë të shkollës ose një provim. Ngeli në klasë. Ngeli në vitin e parë. Ngeli në provim (në gjuhë).
  • 3. Qëndroj gjatë në një vend; merrem vazhdimisht me diçka, nuk pushoj së bëri diçka, nuk i ndahem. Ngeli në shtëpi. Ngeli brenda. Ngeli gjithë ditën atje. Ngeli duke qarë (duke u ankuar, duke qeshur). Ngeli mbi libra.
  • 4. vet. veta III. Nuk më shkëputen sytë a vëmendja nga dikush a nga diçka. I ngelën sytë tek i biri. Më ngeli mendja tek ato fjalë.
  • 5. Nuk arrij ta bëj diçka, nuk gjej kohë ose mundësi për të bërë diçka; mbetet pa u bërë. Ngela pa shkuar. Ngeli pa ngrënë darkë. Ngeli pa u martuar. Na ngeli edhe këtë javë kjo punë. Na ngeli pa zgjidhur ky problem.
  • 6. Bie në një gjendje të caktuar; ndodhem në rrethana a në kushte zakonisht të padëshiruara; mbetet. Ngeli i kënaqur (i zemëruar, i dëshpëruar). Ngeli keq (ngushtë). Ngeli pa shtëpi (pa të holla). Ngeli vetëm. Ngeli pa përkrahje (pa ndihmë). Ngeli i ve (pa grua). Ngelën pa mësues (pa udhëheqje). Ngeli pa frymë iu mor fryma. Ngeli toka djerr. Ngeli kërcu (qyqe) mbeti pa asnjë fëmijë ose pa asnjë njeri të shtëpisë.
  • 7. vet. veta III. Mbetet diçka pa u shpenzuar, pa u përdorur etj. nga një shumë ose tërësi; kam ende të lirë për të përdorur një shumë, një pjesë kohe. Më ngelën edhe dyqind lekë. I ngelën dhjetë pula nga njëzet. Na ngelën edhe njëzet minuta kohë. Nuk na ka ngelur edhe shumë.
  • 8. vet. veta III. Më duhet edhe diçka, kërkohet edhe pak për ta përfunduar një punë; më mbetet për të bërë! Na ngelën edhe dy kilometra rrugë. U ngelën edhe dy vija për të prashitur. Na ngeli edhe një pikë për të shqyrtuar. Nuk na ngel gjë tjetër, veç...
  • 9. Shpëtoj pa u dëmtuar, pa u cenuar ose pa u shkatërruar, mbetem; ruhet. Ngeli gjallë. Ngeli më këmbë shtëpia. I ngelën vetëm muret.
  • 10. kal. bised. Nuk e lë një nxënës a një student të kalojë një klasë më lart në shkollë ose të kapërcejë një provim. E ngeli në klasë. E ngeli në provim. E ngeli për vjeshtë e detyroi (një nxënës a një student) të rijapë një provim a disa provime në vjeshtë.
  • Ngeli (ngeci, mbeti) në baltë shih te BALT/Ë,~A. Ngeli (mbeti) brisk shih te BRISK, ~U. Më ngeli (më mbeti) në derë dikush a diçka shih te DER/Ë, ~A. I ngeli (i mbeti) goja shih te GOJ/Ë,~A. I ngeli kërrabëza shih te KËRRABËZ,~A. Më ngeli (më mbeti) në qafë dikush shih te QAF/Ë,~A. I është (i mbeti) qejfi shih te QEJF,~I 5. Ngeli (mbeti) me gisht në gojë shih te GISHT,~I. I ngeli (i ngeci) sharra në gozhdë shih te SHARR/Ë,~A.