ngjesh
NGJESH I kal.
- 1. Shtyp diçka dhe e bëj më të rrasët duke i pakësuar vëllimin; dendësoj, ndrydh. Ngjesh barin (sanën). Ngjesh leshin. Ngjesh një lëng (një gaz, ajrin). Shiu e ka ngjeshur tokën.
- 2. Shtie diçka në një vend duke e rrasur me forcë që të zërë pak vend a të rrijë shtrënguar; e afroj shumë pas diçkaje, rras, shtrëngoj. Ngjesh duhanin në llullë (në çibuk). Ngjesh rrobat në valixhe. E ngjeshi pas murit. Ngjesh kokën në jastëk. Ngjesh radhët. Ngjesh kapelën (festen) në kokë.
- 3. Përziej mirë me duar a me ndonjë mjet një lëndë derisa të bëhet si brumë i trashë, mbruj, gatuaj; rrasallit, shtyp. Ngjesh brumin e bukës. Ngjeshi një kulaç. Ngjesh baltën (deltinën). Ngjesh llaçin (betonin).
- 4. Mbush plot me diçka. E ngjeshi mirë xhepin. E ngjeshi thesin. E ngjeshi barkun hëngri mirë, u ngop. E ngjeshi me majë.
- 5. fig. Mbush mirë me diçka, pa lënë zbrazëtira a mungesa, e pasuroj që të jetë plot me diçka; e bëj më të ngjeshur, i heq gjërat e tepërta. E ngjeshi tekstin. E ka ngjeshur me shembuj. I ka ngjeshur mirë ngjarjet në roman (në film).
- 6. Hedh me forcë që të ngjitë diku. Ia ngjeshi baltën (gëlqeren) murit.
- 7. bised. E rrah rëndë; e godas me diçka, i jap, i rras. E ngjeshi paq. Ia ngjeshi fytyrës (syve, turinjve). I ngjeshi një grusht (një pëllëmbë).
- 8. bised. Ia hedh fajin dikujt a e rëndoj me diçka që nuk i takon; e ngarkoj me një punë që nuk i bie ta bëjë. Ia ngjeshi atij përgjegjësinë (fajin). Ua ngjesh të tjerëve. Ma ngjeshën mua. Ia ngjeshën të gjitha punët. Ia ngjeshi si me shaka.
- Ngjeshin (shtrëngojnë) radhët shih te SHTRËNGOJ. Qesh e ngjesh shih te QESH.
NGJESH II kal.
- 1. Vë e shtrëngoj mirë pas trupit; vë rreth mesit armë, marr një armë me vete; kund. zgjesh. Ngjesh brezin (rripin). Ngjesh shpatën (pallën, kordhën). Ngjesh revolen (koburen). Ngjesh armët (e brezit). Ngjesh rripin (gjerdanin) e fishekëve.
- 2. I vë rrathë, e shtrëngoj me rrathë. E ngjeshi fuçinë.