ngushtë
NGUSHTË mb.
- 1. Që ka një shtrirje të vogël në gjerësi; që ka një gjerësi më të vogël se ajo që nevojitet; kund. i gjerë. Rrugë (rrugicë) e ngushtë. Brez (rrip) i ngushtë toke. Daltë e ngushtë. Me shpatulla të ngushta.
- 2. Që puthitet shumë pas trupit, që nuk është i gjerë sa duhet, që të shtrëngon; kund. i lirë, i gjerë. Pantallona të ngushta. Mëngë të ngushta. Këpucë (çizme) të ngushta. Më rrinë të ngushta.
- 3. Që ka hapësirë të vogël, që nxë pak; kund. i gjerë. Dhomë e ngushtë.
- 4. Që përfshin një numër të vogël njerëzish, pjesëmarrësish a anëtarësh, i kufizuar; kund. i gjerë; masiv. Rreth (grup) i ngushtë. Organizatë e ngushtë. Mbledhje të ngushta. Numër i ngushtë anëtarësh. Bisedë e ngushtë.
- 5. Që është shumë afër me një tjetër, që nuk ka largësi të mjaftë. Radhë të ngushta.
- 6. fig. Që nuk i kalon disa caqe dhe që lidhet me një fushë të vogël dijesh, njohurish, veprimtarie etj.; i kufizuar; kund. i gjerë. Specializim (specialitet) i ngushtë. Sferë e ngushtë. Profit i ngushtë. Në një kornizë të ngushtë.
- 7. fig. Që i kap gjërat në mënyrë të kufizuar, që i mungon gjerësia e mendimit; që shikon vetëm një fushë të vogël, që përfshin pak gjëra, i kufizuar. Politikan i ngushtë. Me mendje të ngushtë. Horizont (botëkuptim) i ngushtë. Pikëpamje (koncepte) të ngushta. Interesa të ngushta vetjake. Kuptim i ngushtë i një çështjeje. Mendon në mënyrë të ngushtë. Doli nga rrethi i ngushtë. Shpirti i ngushtë i repartit.
- 8. fig. Që ka shpirt të vogël, që nuk është bujar e i hapur me të tjerët; zemërngushtë, shpirt vogël. I ngushtë nga zemra. U tregua i ngushtë.
- 9. fig. Që ka lidhje të drejtpërdrejta e të afërta me një tjetër; që është shumë i afërt e miqësor me një tjetër; që bëhet me përzemërsi dhe afërsi; i afërt, i përzemërt. Bashkëpunim i ngushtë. Takime (biseda) të ngushta. Marrëdhënie (lidhje) të ngushta. Mik (shok) i ngushtë. Miqësi e ngushtë. Në lidhje të ngushtë me diçka.
- 10. fig. I vështirë, i rëndë për t'u përballuar. Gjendje e ngushtë. Iu ndodh në ditë të ngushtë e ndihmoi kur ishte në vështirësi.
- 11. mat. Që është më i vogël se nëntëdhjetë gradë. Kënd i ngushtë.
- 12. sport. Që ka ndryshim shumë të vogël në pikë. Rezultat i ngushtë.
- 13. I mirëfilltë, i drejtpërdrejtë. Kuptimi i ngushtë i një fjale. Në kuptimin e ngushtë të fjalës.
- 14. gjuh. Që shqiptohet duke i afruar shumë buzët e duke e ngritur shumë lart gjuhën (për zanoret). Zanore e ngushtë.
- Vend i ngushtë libr. degë a fushë në të cilën ka vështirësi për prodhimin ose për një veprimtari tjetër.
NGUSHTË ndajf.
- 1. Me gjerësi të vogël a të pamjaftueshme, shtrënguar; kund. gjerë. E ka prerë (e ka qepur) ngushtë. I rrinë ngushtë rrobat (pantallonat). I bien ngushtë këpucët (çizmet).
- 2. Me një hapësirë të vogël për të banuar, për të punuar etj.; shumë afër me një tjetër, shtrënguar; kund. lirshëm, gjerë. Ishin ngushtë me shtëpi. Rrimë ngushtë.
- 3. fig. Në një gjendje të vështirë për ta përballuar, pa rrugëdalje, pisk, keq. Ishte (gjendej, ndodhej) ngushtë. Mbeti (ra) ngushtë. E ka ngushtë. E sheh (e ndien) veten ngushtë. E zuri (e kapi) ngushtë e gjeti a e vuri dikë në kushte të vështira, pa rrugëdalje. Bie (jam) gjallë e ngushtë jam në një gjendje shumë të vështirë. Jam ngushtë me dikë më shkakton shqetësime dikush, nuk di si t'ia bëj me dikë, e kam keq punën me të.
- 4. fig. Në nevojë për diçka a për dikë; në gjendje të keqe ekonomike. Ishte ngushtë nga gjendja (ekonomikisht). Dikur ishin ngushtë për bukë (për ushqime). Ranë ngushtë atij dimri. Është ngushtë për diçka.
- 5. fig. Në mënyrë të drejtpërdrejtë e shumë të afërt; në mënyrë të afërt dhe të përzemërt. I lidhur ngushtë me popullin (me masat). I lidhur ngushtë me problemet e kohës (e jetës). E lidhin ngushtë me praktikën.
- 6. fig. Në mënyrë të kufizuar, me një pamje të ngushtë, pa gjerësi; kund. gjerë. Gjykon (mendon) ngushtë. E kupton ngushtë problemin (çështjen). I sheh ngushtë punët.