NJËSOJ kal.

  • 1. Bashkoj në një të vetme, lidh në një tërësi të vetme e të pandashme dy a më shumë sende, njësi, pjesë etj., që janë të ndryshme; bashkoj në një njësi, përqendroj në një; e bëj të njësishëm. Njësoj forcat. Njësoj një organizatë. Njësoj komandën. usht.
  • 2. E bëj të njësuar, të përgjithshëm e të përbashkët, e bëj një për të gjithë. Njësuam gjuhën (drejtshkrimin, normën gjuhësore).
  • 3. Bëj të njëjta a shumë të ngjashme gjëra të ndryshme, i bëj të njëtrajtshme; i bëj të barabartë, barazoj, bëj njësoj. Njësoj veshjen. Njësoj çmimet. Njësoj monedhën. Njësoj normat. Njësoj kërkesat. Njësoj programet shkollore.

NJËSOJ ndajf.

  • 1. Në po atë mënyrë, në të njëjtën shkallë, pa dallim, pa ndryshim. Visheshin njësoj. E bëri njësoj. Ka marrë njësoj (për diçka që ngjyhet a lyhet). Veprojnë (punojnë, mendojnë, flasin) njësoj. Janë rritur njësoj. Gjithnjë njësoj.
  • 2. Barabar, në po atë masë, pa u dalluar njëri nga tjetri, si njëri tjetri; me po ato të drejta, detyra etj. I dua njësoj. I kam njësoj. Jemi njësoj. Paguhen (trajtohen) njësoj. Duken njësoj. Njësoj si të tjerët.
  • S'janë të gjithë gishtërinjtë njësoj shih te GISHT,~I.